Kryesore Universitetet me PPP, Rama “befason” në Elbasan: Konviktet si rruga Thumanë-Kashar

Universitetet me PPP, Rama “befason” në Elbasan: Konviktet si rruga Thumanë-Kashar

Pas Tiranës, kryeministri Edi Rama e ka zhvendosur sot në Elbasan tryezën e tij të bashkëbisedimit me studentët për “Paktin për Universitetin”, duke bërë me dije para studentëve të “Aleksandër Xhuvanit” se investimet në arsim do të realizohen me PPP, ashtu si rrugët e reja që u përfshinë në paketën “1 Miliardë euro”.

Në tentativën për të shpjeguar anulimin e koncesionit për aksin Thumanë-Kashar, Rama tha se nuk do të kemi ndonjë ndryshim të madh, pasi skema e PPP-së që do të aplikohej aty, do të ndiqet edhe për rikonstruksionin e konvikteve dhe ndërtimin e Kampusit Universitar.

“Keni dëgjuar dhe reagimin për anulimin e koncesionit të Thumanë-Kashar dhe deklaratat që s’ka lekë. Kur do behej rruga ishte një vjedhje shumë e madhe, dhe po vinin bujën se do vidheshin 300 milionë. Tani thonë që s’ka lekë. Në fakt as do vidheshin, se skema e partneritetit që është një mjet propagande për një mekanizëm financimi krejt normal. Quhet Partneritet Publik Privat pse? Sepse sektori publik përmes qeverisë i kërkon sipërmarrjes private që të nënshkruaj një bashkëpunim, ku sipërmarrja nuk merr para, por hedh paratë e veta, por sigurisht të marrë para në një afat kohe shumë më të gjatë. Zgjodhën anulimin e Thumanë–Kasharin se ishte puna me volumin më të madh. Dhe këtë volum do ta kalojmë te pakti për universitetin dhe i thashë rektorit, më tha që e kemi gati projektin e ish-kirurgjisë. I thashë: ju keni dhe konviktet problem.  Pra universiteti duhet të administrojë konviktet në Elbasan, Vlorë, Shkodër apo Gjirokastër dhe çdo qytet”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi më tej që të gjitha projektet për Universitetin “ të integrohen edhe me projektet e konvikteve dhe çfarë keni nevoja të tjera”.

“Universiteti i  Elbasanit do të futet në programin e infrastrukturës universitare që do të bëhet me të njëjtën skemë si Thumanë-Kashari, por jo rruga atje por programi kombëtar për infrastrukturën e universiteteve. Këtë do ta bëjnë të gjithë ministritë që kanë në patronazh të gjithë universitetet”, u shpreh Rama.

Shefi i qeverisë sqaroi më tej se “do i themi sipërmarrjeve që kemi x projekte dhe programe dhe urdhëroni”.

“Kush janë sipërmarrjet që janë të gatshme të vijnë dhe ti bëjnë këto projekte. Ju do merrni universitetin e ri në 5 vjet, ndërkohë që pagesa do të bëhet në vitet në vijim. Më thonë pastaj pse bën ironi në Instagram. Po të bësh humor me ata është gjëja më serioze”, deklaroi Rama.

Kryeministri gjithashtu ceku çështjen e tarifave, duke thënë se sot janë nën kosto, por qeveria sipas tij nuk është babai dhe nëna kur vjen çështja tek arsimi i lartë.

“Kemi adresuar me shumë seriozitet 8 pikat e studentëve duke thënë qartësisht se si i kuptojmë ne ato pika. Është një përgjegjësi përtej një 3-vjeccari apo 5-vjeçari. Është e kuptueshme që kjo kërkesë është rezultat i një nevoje për më shumë respekt për studentin. Është e qartë që tarifat sot janë nën kosto. Tarifat i ka vendosur Universiteti dhe qeveria vendos tavanin. Një arsim cilësor lidhet edhe me sa paguan. Të jemi të qartë, por duke pasur parasysh jo sa kapacitet ka një familje për të paguar. Qeveria ka për borxh që në parim të mbështesë ata që vijnë nga familje në nevojë.

Qeveria nuk ka detyrim të bëjë babin dhe nënën kur vjen puna tek arsimi i lartë. Kushtet nuk janë më optimale dhe ne kemi rënë dakord për të përgjysmuar tarifat për Bachelorin.

Janë 100 studentë gazetarie në një vit. Për katër vjet, 400 gazetarë. Ku? Në Elbasan… Në cilin kazan do shkoni? Do na shkatërroni. Do bëhet një kazane e madhe. Si do vijë dita që kazani të fillojë të marrë formë prej mermeri, ju po e bëni llamarinë komplet”, u shpreh ai.