Kryesore Universitetet mësim online, mund të mbyllen baret në zonën e ish-Bllokut

Universitetet mësim online, mund të mbyllen baret në zonën e ish-Bllokut

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur unanimisht të propozojë që universitet të zhvillojmë vetëm mësim online për të paktën një muaj, ndërsa po vlerësohet mbylljen e bareve dhe kafeneve në zonën e ish-Bllokut pasi konsiderohen si vatër infeksioni.

“Njëkohësisht, Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve e kafeneve në zonën e Bllokut në Tiranë pas orës 22.00, duke qenë se konstatohet një vatër rreziku të madh potencial nga grumbullimet në atë zonë gjate orëve të natës”, tha Rakacolli.

Deklarata është bërë nga zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli. Hapja e universiteteve ishte parashikuar të bëhej duke nisur nga java e ardhshme.

“Nisur nga dinamika e situatës, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vlerësuar se është e nevojshme të keni masa shtesë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të infeksioni”, tha znj. Rakacolli.

Ajo paralajmëroi se nëse nuk tregohet disiplinë do të ketë mbyllje të mëtejshme ndaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbajnë maskë dhe të ruajnë distancimin fizik.

“Askush nuk e do një mbyllje të dytë, por nëse do të jemi në kushtet e përkeqësimit të situatës, do të jenë të pashmangshme masa të tjera”, deklaroi znj. Rakacolli.

Ajo tha se dy javë e fundit ka pasur një rritje të rasteve të infektimeve duke shtuar në 130 raste për 100 mijë banorë.

Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se, aktualisht në të gjithë vendin janë 500 vatra aktive të infeksionit, ku 35% prej tyre janë vetëm në Tiranë.

Kjo rritje tha znj. Rakacolli përkon me lehtësimin e masave shtrënguese duke veçuar hapjen e bareve dhe restoranteve apo hapjen e shkollave.