Shëndet Universiteti i Oksfordit rinis testet për vaksinën anti-Covid

Universiteti i Oksfordit rinis testet për vaksinën anti-Covid

Universiteti i Oksfordit deklaroi të shtunën se testet për vaksinën ndaj COVID-19, të cilat po i zhvillon me kompaninë farmaceutike AstraZeneca, do të rifillojnë.

Deklarata vjen pasi AstraZeneca raportoi të enjten se testet do të pezulloheshin përkohësisht për të hulumtuar nëse kishin apo jo lidhje me vaksinën efektet anësore të raportuara te një pacient britanik.

Në provat me numër të lartë vullnetarësh si kjo, “është e pritshme që disa prej pjesëmarrësve do të ndihen keq dhe çdo rast duhet vlerësuar me kujdes, për të garantuar masa të duhura sigurie,” – thuhet nga Universiteti i Oksfordit.

Në gjithë botën janë mbi 18 mijë persona, të cilët kanë marrë doza vaksinash në testim, ku përveç testeve në Britani të Madhe nga Universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca, teste po kryhen nga kompani të tjera edhe në Shtetet e Bashkuara, Kinë, Brazil e tjerë.

Universiteti i Oksfordit nuk dha detaje apo informacione mjekësore rreth sëmundjes apo efekteve anësore të hasura gjatë testeve, duke cituar mbrojtjen e konfidencialitetit.

Palët janë shprehur të angazhuar për “sigurinë e pjesëmarrësve dhe standardeve të larta të testeve”. Ata zotohen se do të vazhdojnë ta monitorojnë me kujdes çështjen.

Ekspertë të shëndetësisë në Britaninë e Madhe e kanë cilësuar normal pezullimin e testeve në mesjave, duke u shprehur se kjo ndodh shpesh në testet për vaksina pasi parësore është garantimi i shëndetit të pjesëmarrësve.

Pasi kompletoi fazën e parë dhe të dytë me sukses, shumëkush beson se vaksina e përpunuar nga Universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca do të jetë vaksina e parë që do të hidhet në treg.