Politika Urdhër-arrestet për dosjen 339/ Kim e Meta: Koha për t’i dhënë fund...

Urdhër-arrestet për dosjen 339/ Kim e Meta: Koha për t’i dhënë fund blerjes së votave

Ambasadorja amerikane Shqipëri, Yuri Kim ka reaguar pas lajmit të SPAK për arrestimet e bëra në kuadër të hetimeve për dosjen 339, finalizuar me prerjen e 22 urdhër arresteve.

“Puna e SPAK për çështjen 339 po zbulon lidhjet midis krimit të organizuar dhe korrupsionit. Reforma në drejtësi vazhdon të ecë përpara dhe nuk mund të ndalet. Edhe një gur”.

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas 22 urdhër-arresteve të lëshuara nga SPAK, për komisionerët e zgjedhjeve të vitit 2017, të cilët kanë lejuar që të votojnë persona më shumë se një herë.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta thotë se është koha për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë manipulimit të zgjedhjeve dhe blerjes së votave.

Reagimi i Presidentit:

“Koha për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë manipulimit të zgjedhjeve dhe blerjes së votave! Ndëshkim maksimal për të gjithë manipuluesit dhe falsifikatorët e zgjedhjeve!

Ndëshkim maksimal do të ketë për të gjithë punonjësit e shtetit që keqpërdorin detyrën për presione, shantazhe dhe krime zgjedhore!”, shkruan Meta.

Bazuar në provat e administruara nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u caktuan masat e sigurimit personal për 22 shtetas, të cilat janë ekzekutuar nga policia gjyqësore dhe konkretisht “Arrest në burg” për 11 shtetas, “Arrest shtëpi” për 8 shtetas dhe “detyrim paraqitje” për 3 shtetas.