Politika Urdhër arresti ndaj Dakos, opozita është skeptike: Skenari nga Edi Rama, regjia...

Urdhër arresti ndaj Dakos, opozita është skeptike: Skenari nga Edi Rama, regjia nga Yuri Kim

Reagimi i parë nga opozita për urdhër arrestin ndaj ish-kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakos ishte skeptik.

Deputeti Edi Paloka deklaroi se e gjitha është një drejtësi të drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim.

”Një javë pasi e kishin marrë vesh dhe minjtë e bodrumeve të bashkisë Durrës, u shpall arresti për Gjushin. Del Tahiri, hyn Gjushi. Sigurisht pas mbarimit të zgjedhjeve. Çdo gjë me regji qendrore.

Marrëveshjet alla Rama me limonat e tij të shtrydhur vazhdojnë po njësoj. Askush nga ata nuk hap gojën për Ramën dhe ky ju garanton daljen e shpejtë nga burgu dhe sigurimin se milionat nuk jua prek askush.

Gjushi madje duhej të blinte e manipulonte dhe zgjedhjet e fundit në Durrës përpara se të shkonte “me pushime”.

Kjo është drejtësia e reformuar. Skenari: Edvin Rama. Regjia: Yuri Kim”, shkruan Paloka.

Sot SPAK lëshoi urdhër arresti për ish-kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako me akuzën për korrupsion. Dako u vetëdorëzua rreth orës 16:00 në Drejtorinë e Policisë në Tiranë, duke u vënë në dispozicion të drejtësisë dhe hetimeve të nisura ndaj tij.

Përveç Dakos janë lëshuar urdhër arreste edhe për 10 ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë.