Aktualitet “Urgjenca, shembëlltyrë e simotrave europiane”, Rama poston videon me Bratajn në aksion

“Urgjenca, shembëlltyrë e simotrave europiane”, Rama poston videon me Bratajn në aksion

Kryeministri Edi Rama postoi në rrjetet sociale një video ku tregohet se si funksionon Urgjenca, duke shkruar se ajo “është sot një shembëlltyrë e simotrave në Europë”.

“Dhe vetëm ta mendosh se çfarë do të kishte hequr ky popull, sikur largqoftë Armiku i Padukshëm të na kishte gjetur me autoambulancat rrangalle e me linjat fikse të telefonave të zinj të kohës së qepës, që ishin të vetmet mjete të urgjencës deri 7 vjet më parë, të rrëqethet mishi! Respekt për ekipin fantastik të Urgjencës Kombëtare që në këtë kohë të mallkuar i gjendet pranë popullit 24 orë papushim dhe ka shpëtuar mijëra jetë, nën trysninë e dyfishtë të ofensivës së virusit vrastar e të baltës lehëse të atyre që luftojnë kundër nesh, teksa ne luftojmë me mish e me shpirt me Armikun e Padukshëm”, shprehet Rama në shkrimin shoqërues të videos ku shihet në aksion edhe kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.