Bota Urimi i Kroacisë për largimin e Britanisë nga BE: Shyqyr që na...

Urimi i Kroacisë për largimin e Britanisë nga BE: Shyqyr që na u hoqët qafe!

Irena Andrassy, ambasadorja e Kroacisë në Bashkimin Europian

Fjalët e fundit që dëgjoi ambasadori i Britanisë së Madhe si vend anëtar në Bashkimin Europian nuk ishin ato që mund të priste.

“Faleminderit! Mirupafshim dhe shyqyr që na u hoqët qafe!”, deklaroi Irena Andrassy, ambasadorja e Kroacisë në Bashkimin Europian, vend që mban edhe presidencën e radhës në Bruksel.

Andrassy drejtoi mbledhjen e fundit të BE-së, ku e pranishme si vend anëtar ishte edhe Britania e Madhe. I dërguari i Londrës, Tim Barrow e mori me humor lamtumirën e ashpër kroate.

“Britanikët panë anën humoristike të kësaj shprehjeje dhe e kuptuan se çfarë dëshironte të thoshte e dërguara kroate. Por, historia do të tregojë më vonë se këto ishin fjalët e fundit që BE i tha një ambasadori britanik para se të ndodhte Brexit”, citohet nga Financial Times një zyrtar që ka qenë i pranishëm në këtë mbledhje.

Mbledhja në fjalë ka ndodhur më datë 29 janar, dy ditë para se të hynte në fuqi Brexit. Tim Barrow, që ishte përfaqësuesi i përhershëm i Londrës në Bruksel, aktualisht është ambasador i Britanisë së Madhe në BE.

Ambasadori britanik në Bruksel, Tim Barrow

Një zëdhënës kroat në Bruksel konfirmoi se fjalët e Irena Andrassy ishin në kontekstin e humorit dhe të shkëmbimit të batutave mes miqsh.

“Ishte një shkëmbim batutash plot humor mes miqsh në mbyllje të sesionit. Nuk kishte asgjë të keqe. Dy ambasadorët ishin në humor të mirë dhe të çliruar gjatë bisedës me njëri-tjetrin”, deklaroi zëdhënësi.

Brukseli dhe Londra kanë rënë dakord për divorcin, por kanë ende shumë çështje për të zgjidhur. Njëra prej tyre është tregtia, bisedimet për të cilën pritet që të fillojnë në muajin mars.

Britania e Madhe zyrtarisht ka dalë nga Bashkimi Europian në orën 00:01 të 1 shkurtit, por formalisht do t’u bindet rregulloreve të BE-së mbi lëvizjen e lirë dhe tregtinë përgjatë një periudhe tranzitore e parashikuar që të përmbyllet në fund të këtij viti.