Kryesore “Ushtria serbe nuk do hyjë në Kosovë”, Xhaçka: Kurti dhe Vuçiç të...

“Ushtria serbe nuk do hyjë në Kosovë”, Xhaçka: Kurti dhe Vuçiç të bisedojnë

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar sërish lidhur me tensionet mes Kosovës dhe Serbisë dhe i ka kërkuar BE e SHBA që të bëjnë të mundur uljen në bisedime të liderëve të të dyja vendeve.

Përmes një postimi në Twitter, Xhaçka shprehet se duhet të hiqet dorë nga retorika e luftës dhe se Serbia duhet ta kuptojnë një herë e përgjithmonë se Kosova është një shtet i pavarur.

Xhaçka theksoi se “as ushtria serbe nuk do të hyjë në Kosovë dhe as ushtria e Kosovës nuk do të hyjë në konflikt të armatosur”, teksa ka shtuar se barrikadat janë një shfaqje që nuk ka të bëjë fare me interesin e njerëzve të zakonshëm. Xhaçka thekson se “shqiptarët dhe serbët janë dy kombet më të mëdhenj të këtij rajoni dhe ata janë “dënuar” për të gjetur një rrugë të qëndrueshme drejt një të ardhmeje të përbashkët”.

“As ushtria serbe nuk do të hyjë në Kosovë, as ushtria e Kosovës nuk do të hyjë në ndonjë konflikt të armatosur! E gjitha ka të bëjë me një shfaqje të politikës së brendshme dhe nuk ka të bëjë fare me interesat e njerëzve të zakonshëm. Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe duhet të ndalet për hir të gjithë rajonit tonë. Serbia duhet të ndalojë së mbështeturi me arsyetime të pajustifikueshme ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe më në fund të kuptojë se e ashtuquajtura “Kosova&Metohija” ka ikur. Përgjithmonë! Barrikadat nuk mbrojnë asnjë serb në Kosovë, ato vetëm minojnë të ardhmen tonë të përbashkët. Shqiptarët dhe serbët janë dy kombet më të mëdhenj të këtij rajoni dhe ata janë “dënuar” për të gjetur një rrugë të qëndrueshme drejt një të ardhmeje të përbashkët.

Ne u bëjmë thirrje të dy liderëve të ulen dhe të bisedojnë dhe i bëjmë thirrje BE-së/SHBA-së që të insistojnë në këtë gjë. Çdo gjë tjetër përveç dialogut është e dënuar të dështojë”, shkruan Xhaçka në Twitter.