Aktualitet Ushtronin prostitucion në Tiranë, procedohen 16 kolumbiane e braziliane, në kërkim 36-vjeçari

Ushtronin prostitucion në Tiranë, procedohen 16 kolumbiane e braziliane, në kërkim 36-vjeçari

Policia e Tiranës ka bërë të ditur se ka finalizuar operacionin e koduar “Escort 1”, duke proceduar penalisht 16 shtetase me origjinë braziliane dhe kolumbiane, që ushtronin prostitucion në ambiente me qira ditore në Tiranë, ndërsa është shpallur në kërkim një 36-vjeçar.

“Rekrutonte shtetase të huaja, për prostitucion, nëpërmjet faqeve online, shpallet në kërkim 36-vjeçari.

36-vjeçari kishte përfituar rreth 200 000 euro nga kjo veprimtari, gjatë 1 viti.

Procedohen penalisht 16 shtetase me origjinë braziliane dhe kolumbiane, që ushtronin prostitucion në ambiente me qira ditore.

Sekuestrohen 7000 euro dhe 6 celularë.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë në bashkëpunim dhe me DVKM Tiranë, në zbatim të planit të masave me qëllim goditjen e veprimtarive të paligjshme që lidhen me shfrytëzimin e prostitucionit, kanë evidentuar dhe goditur një rast, në kuadër të operacionit “Escort 1”. Për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi:

M. N., 36 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas bashkëpunonte me shtetas me huaj për dërgimin në Shqipëri dhe më pas i rekrutonte shtetaset e huaja, nga Kolumbia dhe nga Brazili, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion, duke përdorur faqe online. Këtë aktivitet e ushtronte në ambiente me qira ditore, të cilat i siguronte nëpërmjet agjencive të ndryshme”, njofton policia.