Sport Uzuni: Më vjen keq për Panuccin! Nuk ka ende mbaruar asgjë

Uzuni: Më vjen keq për Panuccin! Nuk ka ende mbaruar asgjë

Myrto Uzuni ishte një nga dy lojtarët e kombëtares shqiptare që dolën sot në konferencë për shtyp përpara mediave vetëm pas humbjes ndaj Turqisë në Loro Boriçi të Shkodrës. Sulmuesi i Lokomotivës së Zagrebit analizoi ndeshjen ndaj turqve, ndërsa shprehu keqardhjen e tij edhe për largimin e trajnerit Panucci, njeriut që i dha mundësinë e debutimit dhe e aktivizoi titullar Uzunin në disa ndeshje të mëdha.

“Kemi bërë një pjesë të parë deri diku e mirë. Na penalizoi fakti që nuk finalizuam rastet që na u dhanë. Pjesa e dytë, pse ajo lojë e dobët? Luanim në shtëpinë tonë dhe gjej rastin t’i falënderoj tifozët tanë që ishin të shumtë. Ai gol i dytë na penalizoi shumë. Donim të merrnim rezultat pozitiv, pasi luanim në fushën tonë.”

LARGIMI I PANUCCIT – “Normalisht që ndihem pak keq, por ne luajmë për Shqipërinë dhe respektojmë çdo trajner. Nëse dikush jep në fushë, normalisht që do të luajë. Na kanë thënë që duhet të jemi të përqendruar dhe të punojmë mirë psikologjikisht. E mësuam sot në mëngjes largimin e trajnerit. Nuk dua të flas për këtë temë”, shtoi beratasi, i cili aktivizohet me Lokomotivën e Zagrebit në Kroaci.

NDESHJA ME ANDORREN – Në lidhje me Andorrën, pozicionin në fushë dhe garën për në Europian, Uzuni deklaroi: “Për këtë fanellë unë luaj kudo, nuk ka rëndësi. Te Lokomotiva kam luajtur në krah dhe në majën e sulmit. Andorra? Kemi bërë një hap dje, këtë fitore e kemi detyrim. Nëse nuk fitojmë, atëherë jemi jashtë gare. Gara për vendin e dytë? Nuk ka mbaruar asgjë, ishte thjesht një ndeshje. E kemi detyrim që tani të fitojmë në Turqi”.