Sport Uzuni shkëlqen, por triumfon Juventus. Barcelona fiton pa Messin, PSG-së i mjafton...

Uzuni shkëlqen, por triumfon Juventus. Barcelona fiton pa Messin, PSG-së i mjafton një penallti

Myrto Uzuni ka zhvilluar një 90 minutësh fantastik në Champions League ndaj Juventusit, ku arriti të shënojë edhe një gol, por në fund ishin kampionët e Italisë ata që triumfuan, ndaj Ferencvaros.

Edhe pse një ndeshje e lehtë në letër, në fushën e lojës nuk ka rezultuar aspak i tillë ky takim për skuadrën e Pirlos, i cili në fund mori kualifikimin për në fazën e ardhshme, por me vështirësi.

Skuadra hungareze kaloi e para në avantazh, me golin e Uzunit, por Ronaldo u përgjigj shpejt, duke barazuar shifrat.

Uzuni duke festuar golin me festimin e Ronaldos

Në pjesën e dytë, bardhezinjtë e rritën presionin për të gjetur golin e fitores, por Ferencvaros u mbrojt mirë dhe me Uzunin në krye të sulmit u treguan edhe të rrezikshëm me dalje të shpejta. Në minutat e shtesës erdhi edhe goli i fitores për Juventusin, i cili u realizua nga Morata.

Me këtë fitore, Juventusi kalon grupin së bashku me Barcelonën, e cila fitoi 0-4 në Ukrainë ndaj Dinamos së Kievit.

Ndonëse me një ekip totalisht të rinovuar, Barcelona ia ka dalë të fitojë pastër me rezultatin 0-4 ndeshjen e radhës përballë Dynamo Kiev, duke marrë fitoren e katërt në grup.

Pa Messin e lënë pushim, Piquen e dëmtuar, De Jong dhe Alaba e Griezman në stol, “të vegjlit” e Koeman ia dolën të dhurojnë spektakël në një ndeshje ku shënuan 4 herë.

Tashmë Barcelona udhëheq grupin G me pikë të plota, e ndjekur nga Juventusi.

Në ndeshjen tjetër të kësaj mbrëmje atë për Grupin H, PSG arriti të fitojë me rezultatin e ngushtë 1-0 ndaj gjermanëve të Leipzig.

Për francezët mjaftoi një penallti e shndërruar në gol nga Neymar për të marrë vendin e dytë në grup pas Manchester United.