Sport Vajza rekordmene e golave për Vllazninë

Vajza rekordmene e golave për Vllazninë

Rreth 100 km larg Tiranës, në fshatin Prell të Burrelit është lindur golëshënuesja më e mirë në botë për vitin 2018, Megi Doçi, e cila vetëm vitin e shkuar shënoi 84 gola.

Gjithçka ka filluar në shkollën 9-vjeçare të fshatit.

“Kjo është shkolla ime, shkolla Gani Sinani, ku kam kryer 7 vite mësim. Këtu kam hedhur hapat e parë sa i përket futbollit, me shoqet dhe shokët e klasës”, thotë Megi.

Babai i saj ka qenë shtysa kryesore, që 22-vjeçarja, ndryshe nga bashkëmoshataret e saj të fshatit, të merrej me futboll.

“Kur mora vesh që u formua një ekip në Tiranë, u largova nga këtu. Babai ka qenë motivi kryesor që unë kam filluar të luaj futboll”, rrëfen Megi.

“Që kur ka qenë 6 vjeç e merrnim me vete për të parë ndeshje ndërkombëtare, në Champions apo për Botërorin, ndaj i hyri në gjak. Ka pasion të madh për futbollin, ndaj vazhdoi këtë rrugë”, thotë i ati, Hasan Doçi.

“Nuk isha dakord, sepse është një sport shumë i rëndë dhe jo për femra. Tani jam shumë krenare që është bërë kjo që është sot”, thotë e ëma, Nafie Doçi.

Sot, pasi ka rreth 10 vite që aktivizohet në skuadra të ndryshme, Megi jeton pak metra nga fusha ku stërvitet me ekipin e meshkujve të Shkëndijes, pranë Shkollës së Futbollit në Kamëz.

“Në ditët kur është kohë e keqe, apo kur kemi ndonjë program mësimor e nuk mund të dalim në stërvitje, Megi bëhet shumë keq dhe habitet sesi ne nuk mund të bëjmë stërvitje. Ne jemi detyruar të rregullojmë edhe orarin e shkollës, që çdo ditë të kemi seanca stërvitore dhe Megi të mos mërzitet dhe të jetë gjithmonë e pranishme”, tha Luan Pinari, trajner i Shkëndijës.

Ndërkohë, ajo ka synime të mëdha për karrierën e saj dhe premisat janë të mira.

“Sigurisht që idhulli im është Cristiano Ronaldo. Ndjek shembullin e tij për goditjet e dënimit, lëvizjet dhe gjithçka. Jam motivuar gjithmonë duke parë atë. Nëse largohem nga këtu, pse të mos konkurroj për Topin e Artë për femra”, thotë Megi Doçi, futbolliste e ekipit Vllaznia për femra.