Kryesore Vaksina kundër Covid-19, Fauci: Do ta kemi në dhjetor, por vaksinimi në...

Vaksina kundër Covid-19, Fauci: Do ta kemi në dhjetor, por vaksinimi në masë nis në 2021-shin

Dr.Anthony Fauci

Një vaksinë kundër Covid-19 mund të jetë e disponueshme në Shtetet e Bashkuara që në fillim të dhjetorit, nëse ajo do të provohet e sigurtë dhe efikase.

Këtë e tha eksperti i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA, Anthony Fauci, i cili megjithatë sqaroi se do të duhen disa muaj të tjerë para nisjes së vaksinimit në masë.

“Mendoj se do të mësojmë nëse një vaksinë është e sigurtë dhe efikase në fund të nëntorit ose në fillim të dhjetorit. Pyetja është, pasi e kemi një ose më shumë vaksina të sigurta, si do ti çojmë tek njerëzit që kanë nevojë së më shpejt të jetë e mundur. Sasia e dozave që do të jenë të disponueshme në dhjetor nuk do të jetë e mjaftueshme. Do të kenë prioritet stafi mjekësor apo ata që gjenden në kategorinë e personave më të riskuar. Të tjerë do të duhet të presin disa muaj të tjerë në 2021-shin”, u shpreh ai.

Aktualisht janë me dhjetëra firma farmaceutike që ndodhen në fazën përfundimtare të testimit tek njerëzit të vaksinave të tyre. Shumica e tyre janë në Shtetet e Bashkuara dhe Kinë.

Por firma britanike Astra Zeneca tha se vaksina e saj inovative ka dhënë rezultatet e pritshme në fazën përfundimtare dhe së shpejti mund të nisë prodhimin.

Rusia nxorri e para një vaksinë, që nuk është e certifikuar nga OBSH, por që pritet të nisë injektimin sipas parashikimeve të autoriteteve në fillim të nëntorit.