Bota Vaksina kundër Covid-19 financohet nga Bill Gates: SHBA nis testimet te njerëzit

Vaksina kundër Covid-19 financohet nga Bill Gates: SHBA nis testimet te njerëzit

Përhapja e koronavirusit me shpejtësi ka shtuar dhe ritmin e punës së shkencëtarëve për gjetjen e një kure apo vaksine.

40 vullnetarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën dozën e parë të një vaksine kundër Covid-19, e cila është ende në fazën fillestare. Bëhet fjalë për një eksperiment i përgatitur nga kompania amerikane bioteknike “Inovio”, që nisi testimet në njerëz pas marrjes së konfirmimit nga administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve.

Ky është një studim shkencor i financuar pjesërisht nga fondacioni Bill dhe Melinda Gates si dhe Koalicioni për Epidemi dhe Gatishmëri Inovative. Testimi në njerëz erdhi pas rezultateve pozitive te kafshët.

Vullnetarët, të seleksionuar në Filadelfia dhe Kansas City, do të marrin dozën e dytë të vaksinës, të quajtur Ino-4800, pas 4 javëve.

“Ky është një hap i rëndësishëm përpara, kundër një virusi, u cili pa një vaksinë, do të vazhdojë të kërcënojë jetë njerëzore”, shprehet administratori i kompanisë Inovio, Joseph Kim. Ai bën me dije se studiuesit, partnerët dhe financuesit ishin mobilizuar që nga fillimi i janarit, kur sekuenca gjenetike e virusit u bë e disponueshme, për të siguruar përparim të shpejtë në zhvillimin e Ino-4800. Sfida për këtë kompani është që të prodhojë një vaksinë brenda një viti e gjysëm. “Ajo që është arritur tani me këtë eksperimentim është një moment historik i rëndësishëm në funksion të këtij synimi”, saktëson kreu i Koalicionit për Epidemi dhe Gatishmëri Inovative, Richard Hatchett.

Përgjigjet fillestare imunitare të 40 vullnetarëve dhe të dhënat e sigurisë së studimit priten në fund të verës. Në atë pikë, Inovio planifikon të fillojë studimet për efikasitetin e vaksinës.

Paralelisht, kompania po përpiqet të rrisë prodhimin e Ino-4800 dhe planifikon të përgatisë një milion doza deri në fund të vitit, që mund të përdoren për studime të mëtejshme apo emergjenca.