Politika Vaksina, Rama: Do ua vërtetoj që nuk më është injektuar ujë biologjik

Vaksina, Rama: Do ua vërtetoj që nuk më është injektuar ujë biologjik

Nga foltorja e Kuvendit, aty ku foli për vaksinat ndaj koronavirusit, kryeministri Edi Rama, i cili ishte ndër të parët që mori dozën e vaksinës, reagoi edhe mbi dyshimet e ngritura se çfarë atij iu injektua.

Rama thekson se pas dozës së dytë, ai është i gatshëm ta vërtetojë me antitrupat e krijuara se ka marrë vaksinën ndaj koronavirusit.

“E shikojmë me optimizëm 6 mujorin e dytë të vitit, duke pasur parasysh që procesi do të ecë i patrazuar nga luhatjet e mundshme të kompanisë në furnizim. Në momentin që kompania do të bëjë furnizimin e parë për të sjellë 10700 vaksinat e para, do të ndjekim të njëjtin proces si edhe në vendet e tjera, për të hequr edhe çdo sëkëlldi të krijuar.

Po ashtu, kam biseduar edhe me ministren që, sidoqoftë, në momentin që pjesa që ka bërë vaksinën do të duhet të rikthehet për të marrë dozën tjetër. Cilido që është i gatshëm, unë po, por besoj që do të ketë edhe të tjerë, të bëjnë një transparencë mbi antitrupat, për të parë që realisht vaksina është marrë ajo që thuhet dhe ka bërë të gjithë efektin. Kam parë që ka pasur edhe analistë dhe opinionistë që kanë hedhur idenë se, unë jam injektuar me ujë biologjik. Ky është një nivel shumë i lartë analize për ne njerëzit e zakonshëm. Sidoqoftë është oportune që t’iu jepet mundësia atyre që e ndjekin këtë nivel të lartë analize të ndjehen të garantuar nga faktet”, tha Edi Rama.