Politika Vaksinat, Rama: Jam lypësi më i gjatë në botë, presim 360 mijë...

Vaksinat, Rama: Jam lypësi më i gjatë në botë, presim 360 mijë doza

Fati i procesit të vaksinimit të shpejtë të popullsisë është në dorë të shteteve mike të Shqipërisë, që siç shprehet kryeministri Rama, e kanë kthyer në lypësin më të gjatë në botë. Pa dhënë detaje se cilët janë këta miq, Rama zbuloi se pritet vetëm vula e marrëveshjes për 360 mijë doza të vaksinës AstraZeneca.

“Ne do kemi 41 mijë dozat e Pfizer brenda marsit. Pastaj vazhdojmë në prill me vaksinat e tjera qoftë Pfizer qoftë AstraZeneca. Ajo që na duhet tani është vula mbi marrëveshjen me shtetin tjetër mik që ka angazhuar procesin për 360 mijë vaksina. Për këtë unë pres çdo ditë, çdo orë konfirmimin e takimit tim me atë koleg në atë vend për ta mbyllur këtë muhabet.

Me një vend tjetër mik jemi shumë afër për një sasi tjetër të madhe. Një vend i tretë është në kontakt me ne. Të shohim. Tre janë biseda konkrete se janë 33 që janë biseda që nuk ka akoma konkretizim. Jam lypësi më i gjatë në planet, pa diskutim”, u shpreh Rama.

Rama paralajmëron lokalet: Do gjobiteni dhe do mbylleni nëse pranoni deputetë për fushatë

Shifrat rekord të infektimeve në vendin tonë nuk kanë ndikuar në pezullimin e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare. Ndonëse ka një vendim të Komitetit Teknik të Ekspertëve, sërish grumbullimet partiake vijojnë në ambientet e lokaleve, sallave dhe zyrave të ndryshme elektorale.

Më herët, kryeministri Rama paralajmëroi kolegët e tij se nuk do të kursehen gjobat në rast se shkelin rregullat e pandemisë.

Partitë politike nuk dorëzohen, ndërsa forca e shtetit me ndërgjegje ose jo, nuk vepron në maksimumin e saj. Kreu i qeverisë zgjedh tjetër drejtim për të adresuar paralajmërimin: bujtësit e fushatës.

Përballë fushatës dhe dëshirës së subjekteve politike për ta zhvilluar atë pa marrë parasysh pasojat mbi shëndetin e qytetarëve, kryeministri Rama tha se po mendohet një zgjidhje tjetër për mbajtjen e takimeve elektorale, me të cilën synon edhe të shmangë sulmet.

Për zhvillimin e fushatës elektorale është gjobitur me 5 milionë lekë të reja kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, Edmond Spaho, Xhemal Qefalia, ministry Blendi Klosi si dhe disa përfaqësues të opozitës në rrethe.