Bota Vala e dytë e Covid-19: Pse vdekjet nuk po rriten aq shumë...

Vala e dytë e Covid-19: Pse vdekjet nuk po rriten aq shumë sa rastet?

Europa është zhytur tashmë në valën e dytë të pandemisë së koronavirusit. Shkalla e përhapjes së infeksionit është tepër e lartë në të gjithë kontinentin. Qeveritë kanë rikthyer masa strikte. Por, ka një fije shprese: virusi, edhe pse ende merr jetë njerëzish, duket se po vret mesatarisht më pak.

Shifrat e fundit të Qendrës Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tregojnë se pavarësisht rasteve rekord me Covid-19 në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Spanjë, Gjermani, Itali dhe shtete të tjera, vdekjet nuk po rriten me të njëjtin ritëm.

“Vdekshmëria ka rënë në Mbretërinë e Bashkuar, pikën më të ulët e kapi në gusht. Edhe pse tani ka një rritje të lehtë, nuk ka arritur kurrë në nivelet e mëparshme të larta”, thotë për CNN, Jsaon Oke, një statisticien i Departamentit të Shkencave të Shëndetësisë në Universitetin e Oksfordit.

Oke ka ndjekur shifrat e vdekshmërisë nga Covid-19 bashkë me kolegun e tij Carl Heneghan dhe ekonomistin Daniel Howdon. Studimi i tyre tregon se në fund të qershorit raporti i vdekshmërisë (me rastet) ishte nën 3% në Mbretërinë e Bashkuar. Në gusht, ky raport kishte rënë në nivelin 0,5%. Ndërsa tani është në nivelin 0,75%. “Mendojmë se faktori kryesor që ka ndikuar është mosha, por edhe faktorë të tjerë, si kura”, thotë Oke.

Raporti më i ulët i vdekshmërisë nuk vihet re vetëm në Europë. Sipas një studimi të Shkollës së Mjekësisë “Grossman”, edhe në Nju Jork, SHBA, raporti i vdekjeve mes personave të shtruar në spital me sëmundje të lidhura me koronavirusin ka rënë ndjeshëm që prej fillimit të vitit.

Arsyeja më e dukshme e këtyre shifrave është mosha. Vala e parë preku më tepër të moshuarit, duke u përhapur në spitale dhe shtëpitë e kujdesit të të moshuarve. Kjo nënkupton se me përhapjen e virusit tek të moshuarit vdekshmëria mund të rritet sërish. Megjithatë, studiuesit theksojnë se edhe trajtimet më të mira kanë kontribuar në prishjen e raportit mes infektimeve dhe humbjes së jetëve. Ka ndryshuar, gjithashtu, mënyra e trajtimit të pacientëve. Ventilatorët, që përdoreshin masivisht në fillimet e pandemisë, po shfrytëzohet gjithnjë e më pak pasi mjekët kanë mësuar se ato mund të dëmtojnë mushkëritë e pacientëve.