Kryesore Valdrin Pjetri i përgjigjet PD-së: Nuk jam dëbuar asnjëherë nga Italia

Valdrin Pjetri i përgjigjet PD-së: Nuk jam dëbuar asnjëherë nga Italia

Kryetari i ri i bashkisë së Shkodrës, Valdrin Pjetri ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij nga PD, sipas të cilave ai në të shkuarën ishte dëbuar nga Italia dhe kjo e ndalonte të kandidonte për Kreun e Bashkisë së Shkodrës, si subjekt dekriminalizimi.

“Nuk është e vërtetë që nuk kam shkuar në Itali, mund të verifikohet fare lehtë në sistemin TIMS, Nuk kam patur asnjë problem në Itali”, tha Valdrin Pjetri.

Akuzat Pjetri i sheh si një gjyq publik, ndërsa shpreh gatishmëri për bashkëpunim me prokurorinë.

“Është e vërtetë që gjatë javëve të fundit kam qenë në qendër të sulmeve nga Partia Demokratike. Unë kam bërë një reagim timin ditën e nesërme të këtij lajmi ku kam thënë që jam hapur për çdo verifikim. Tashmë gjëja është zyrtare, shkresa e PD është në Prokurorinë e Përgjithshme. Prokuroria është i vetmi institucion i ngarkuar nga ligji për të bërë verifikimet. Ky më shumë ngjan me një gjyq publik. Asgjë nuk na ndal të shkojmë drejt Bashkisë së Shkodrës dhe të fillojmë punën”, shtoi Pjetri.