Politika Valteri depoziton prova të reja për Metën: Shumë shpejt do të shihni...

Valteri depoziton prova të reja për Metën: Shumë shpejt do të shihni një ish-president të arrestuar

Halit Valteri mbërriti në SPAK për të depozituar prova të reja në lidhje me kallëzimet e bëra prej tij ndaj ish-presidentit Ilir Meta. “Shqiptarët do të shohin shumë shpejt një ish-president dhe një ish-kryeministër të arrestuar”, tha Valteri.

Valteri tha se kishte paraqitur prova për disa kontrata të firmosura nga vetë Ilir Meta me një kompani lobuese në SHBA, ku sipas tij janë paguar 1,2 milionë dollarë nga taksat e shqiptarëve për të bërë pagesa lobimi në SHBA.

“Janë prova që i kemi paraqitur edhe më parë në SPAK, kemi sjellë edhe të tjera dhe janë sqarime të bëra për pika të ndryshme në dosje. Për mendimin tim, SPAK nuk ka çfarë pret më, inkurajoj të bëjnë atë që presin të gjithë shqiptarët, arrestimin e Ilir Metës”, tha Valteri.

Ai nuk sqaroi deri ku ka arritur hetimi. “Nuk jam i autorizuar të them asgjë. Di që SPAK ka ecur përpara, di që Ilir Meta është person nën hetim, dhe së shpejti, me provat e grumbulluara, shqiptarët do të kenë një ish-president dhe ish-kryeministër para drejtësisë. Nëse do të ishte një njeri normal, pa petkun politik, sot do të ishte duke vuajtur dënimin”, shtoi ai.