Sport Van Gaal kritikon Guardiolën si trajner, i kujton dështimin te City dhe...

Van Gaal kritikon Guardiolën si trajner, i kujton dështimin te City dhe Bayerni

Louis van Gaal nuk e “kafshon” kurrë gjuhën e tij, kur i jepet mundësia të flasë për mediat e ndryshme botërore. Ai ka qenë kritik edhe për sukseset e Pep Guardiolës si trajner, duke dalë kundër rrymës, që e sheh katalanasin në majën e trajningut global në dekadën e fundit.

Në një intervistë për “France Football”, ish-trajneri i njohur holandez nuk e kufizoi aspak veten në vlerësim, teksa vlerësoi Champions-in mbi ligat kombëtare. “Fitimi i Premier League për herë të dytë radhazi është diçka fantastike. Guardiola fitoi gjithçka që mund të fitohet në Angli, por niveli më i lartë është në Ligën e Kampionëve. Ai nuk e ka fituar këtë kompeticion as me Manchester City dhe as me Bayern Munich”, – tha ish-trajneri i Barcelonës, që e kishte Guardiolën në komandën e tij si lojtar.

Për Van Gaal, arsyeja pse Pep nuk fiton dot në garat europiane lidhet me ekstremizmin e ideve të tij dhe stilit të lojës: “Kjo është pasojë e të qenit shumë i shqetësuar në lidhje me atë se si luan ekipi yt, jo kundërshtari. Në futboll duhet ta respektosh kundërshtarin tënd. Guardiola ka ekipe me cilësi të lartë në krahasim me rivalët e tij kombëtar, por kjo nuk vlen për Ligën e Kampionëve“.

Van Gaal kritikoi gjithashtu Ten Hag (trajnerin e Ajax) për mungesën e tij të përshtatjes ndaj kundërshtarit në gjysmëfinalen e Champions-it, Tottenham.