Sport Vanda Nara do takojë Marotën, Zhang urdhër për Ikardin

Vanda Nara do takojë Marotën, Zhang urdhër për Ikardin

Është çështje ditësh, ose për të qenë të saktë: Të martën do të jetë takimi i parë për rinovimin e Mauro Ikardit me Interin. Për momentin është vendosur data ku dy drejtuesit zikaltër, Bepe Marota dhe Auzilio, do të takojnë menaxheren e lojtarit Vanda Nara.

Interi nuk ka ndërmend që të humbasë kapitenin, por nga ana tjetër kërkon që gjërat të bëhen me qetësi dhe pa shumë publicitet në rrjetet sociale. Për këtë pjesë duhet të mendojë bashkëshortja-menaxhere e argjentinasit, e cila gjithashtu duhet të limitojë fotot dhe përmbajtjet që lidhen me tratativën mes Interit dhe zikaltërve.

Në anën tjetër, lojtari është duke u stërvitur në vazhdimësi me skuadrën, edhe pse ndeshjen e parë të vitit me shumë mundësi do ta nisë nga stoli. Nuk është një ndëshkim për vonesën e rikthimit në stërvitje, sepse ajo u mbyll me gjobën 100 mijë euro. Por duket se trajneri do t’i japë besim Lautaro Martinezit.

7 milionë euro

Mediat italiane bëjnë me dije se Interi është gati t’i ofrojë një pagë 7 milionë euro (e cila mund të shkojë në 8 me bonuset) dhe kontratë deri në vitin 2023, por pavarësisht rritjes prej 2,5 milionë eurove, duket se Vanda Nara nuk do ta japë lehtësisht fjalën dhe përgjigjen pozitive për të vazhduar bashkëpunimin.

Qëllimi i saj është ta çojë rrogën e bashkëshortit në 10 milionë euro në sezon, por zikaltrit nuk munden për shkak të bilancit. Urdhër i Zhang- Stiven Zhang dhe Marota thanë se nuk janë të shqetësuar dhe situata e Ikardit do të zgjidhet shumë shpejt.

Sipas gazetës “Tuttosport”, presidenti i Interit u ka dhënë urdhër drejtuesve, në veçanti Marotës, që ta mbyllin sa më shpejt këtë temë dhe të rinovojnë kontratën me kapitenin e skuadrës.

Ai u ka lënë dorë të lirë që të veprojnë dhe kërkon përgjigje pozitive që në takimin e parë. Sepse kjo është tratativa e tij e parë si president dhe shumë e rëndësishme, pasi bëhet fjalë për kapitenin e skuadrës dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm në vitet e fundit. Reali, Çelsi dhe shumë skuadra të tjera janë gati ta rrëmbejnë, por Interi s’ka ndërmend ta lërë të lirë.