Kryesore Varhelyi tha të pritej Venecia/ Rama: Koha nuk pret. Meta, një ekstremist

Varhelyi tha të pritej Venecia/ Rama: Koha nuk pret. Meta, një ekstremist

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi kërkon nga qeveria shqiptare që të presë këshillat e Komisionit të Venecias, përpara se të rivotojë në parlament ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Pasi i ktheu për rishqyrtim në parlament ndryshimet, duke arsyetuar se u miratuan në mënyrë të njëanshme dhe në shkelje me Kushtetutën, Meta deklaroi sot në konference për media, se duke marrë parasysh kërkesën e opozitës së bashkuar, do t’i drejtohet Komisionit të Venecias.

Komisioneri Varhelyi thotë se këshillat e Venecias nuk do të vonojnë, ndaj parlamenti duhet të presë përpara se të rivotojë këto ndryshime.

“Shqipëria kodi zgjedhor: Unë besoj se Komisioni i Venecias do të japë këshilla të shpejta për palët e interesuara shqiptare mbi zbatimin e Ndryshimeve Kushtetuese të 30 korrikut. Parlamenti duhet të marrë në konsideratë pritjen e rivotimit për të marrë parasysh këto këshilla. Presim zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021”, shkruan zyrtari i lartë i BE.

Fill pas kësaj, Kryeministri Edi Rama i përgjigjet Komisionerit të Zgjerimit Oliver Varhelyi, i cili tha se Parlamenti duhet të presë opinionin e Venecias për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Mendimi i Venecias është gjithnjë i mirëseardhur, por për një ligj të votuar dhe të refuzuar nga Presidenti, procedura është e qartë: Refuzimi i Presidentit pranohet ose rrëzohet nga parlamenti! PARLAMENTI DO TË RISHPREHET PA HUMBUR ASNJË DITË”, shkruan Rama.

Më tej, kryeministri e quan Metën ekstremist që ka marrë peng Presidencën.

“Ky President i angazhuar si një ekstremist kundër Parlamentit dhe Qeverisë Shqiptare, s’merr dot peng askënd dhe asgjë përveç institucionit që fatkeqësisht ka marrë peng! Opinioni i Venecias mirësetëvijë kur të vijë, por koha për këto zgjedhje s’pret asnjë ditë jashtë procedurave”, përmbyll Rama.