Komisioni Europian do të kufizojë udhëtimet ajrore nga Afrika Jugore për shkak të frikës për një variant të ri të Covid-19 deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Një variant shumë ngjitës i koronavirusit është përhapur në Afrikën e Jugut. Konsiderohet se ky variant i ri ka pësuar më së shumti mutacione, në krahasim me të gjitha variantet tjera.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është duke monitoruar këtë variant dhe për këtë arsye do të mbajë një takim urgjent për të diskutuar se çfarë nënkupton kjo situatë për pandeminë dhe vaksinat.
“Jemi të shqetësuar për shkak të mutacioneve dhe ndikimit që mund të ketë ai”, ka thënë Maria Van Kerkhove, zyrtare e OBSH-së, në një konferencë virtuale për media të enjten.
Varianti i quajtur B.1.1.529, ka mundësi që do të marrë emër grek – sikurse variantet Alfa dhe Delta – nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ky variant është thënë se ka pësuar shumë mutacione.
Deri më tani janë konfirmuar 77 raste me variantin e ri në provincën Gauteng në Afrikën e Jugut, katër raste në Bostvana dhe një në Hong Kong, i cili ka mundësi të jetë i lidhur me udhëtim nga Afrika e Jugut.
Von der Leyen: Do të kufizojmë udhëtimet nga Afrika Jugore
Komisioni Evropian do të kufizojë udhëtimet ajrore nga Afrika Jugore për shkak të frikës për një variant të ri të Covid-19, shkroi në Twitter presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
”Komisioni Evropian do të propozojë, në koordinim të ngushtë me shtetet anëtare, për të aktivizuar frenimin e emergjencës për të ndaluar udhëtimin ajror nga rajoni i Afrikës Jugore për shkak të variantit B.1.1.529″, shkroi në Twitter Von der Leyen.
Shenja të një vale të re të një pandemie
Potencialisht shumë ngjitës dhe me mutacione të shumta, një variant i ri i COVID-19 është zbuluar në Afrikën e Jugut, që po sheh shenja të një vale të re të një pandemie, njoftuan shkencëtarët.
“Varianti B.1.1.529 tregon një numër jashtëzakonisht të lartë mutacionesh dhe mund të shohim se ka potencialin të përhapet shumë shpejt”, tha virologu Tulio de Oliveira në një konferencë për shtyp në internet të mbikëqyrur nga Ministria e Shëndetësisë.
Metamorfozat e virusit fillestar mund ta bëjnë atë potencialisht më të transmetueshëm, deri në pikën për ta bërë variantin mbizotërues: ky ishte rasti me variantin Delta i zbuluar fillimisht në Indi dhe që, sipas OBSH-së, uli efektivitetin e vaksinave kundër COVID-19 në 40 për qind.
Në këtë pikë, shkencëtarët e Afrikës së Jugut nuk janë të sigurt për efektivitetin e vaksinave ekzistuese kundër formës së re të virusit.
“Ajo që na shqetëson është se ky variant jo vetëm që mund të ketë një kapacitet të rritur transmetimi, por gjithashtu të jetë në gjendje të anashkalojë pjesë të sistemit tonë imunitar”, tha një studiues tjetër, profesor Richard Lessells.