Vatikani vendosi që vaksinimi kundër koronavirusit është moralisht i pranueshëm, edhe pse disa grupe kundër abortit ngritën shqetësime për mënyrën sesi krijohen këto vaksina.
Disa organizata kishin thënë se vaksinat e koronavirusit ishin bërë duke përdorur qeliza nga fetuset e abortuara. Në fakt, qelizat janë zhvilluar në laboratorë, nga inde të marra dekada më parë, dhe nuk vijnë drejtpërdrejt nga fetuset e abortuara.
Kongregacioni për Doktrinën e Fesë tha në një njoftim të miratuar nga Papa Françesku, të hënën, se marrja e vaksinës ishte moralisht e lejueshme. “Është moralisht e lejueshme të marrësh vaksinën e Covid-19 që ka përdorur linja qelizore nga fetuset e abortuara gjatë procesit të kërkimit dhe prodhimit”, thuhet në njoftim.
Deklarata u botua dhe u nënshkrua nga kreu i Kongregacionit, në përgjigje të kërkesave të ndryshme që iu bënë lidhur me udhëzime mbi përdorimin e vaksinave.
Brenda klerit katolik ka pasur disa mosmarrëveshje lidhur me etikën e marrjes së vaksinës, sepse në të përdoreshin inde të marra nga dy aborte që kanë ndodhur shekullin e kaluar. Por, Vatikani i ka refuzuar këto kundërshtime.
Vatikani saktësoi se deklarata kishte si qëllim sqarimin e pikëpyetjeve për moralin e përdorimit të vaksinës, dhe jo të gjykojë efikasitetin e saj. Gjithashtu, selia e shenjtë i bëri thirrje kompanive farmaceutike, qeverive dhe organizatave ndërkombëtare që të tregojnë vëmendje në shpërndarjen e vaksinës edhe në vendet e varfra.