Aktualitet Vdekja e 25-vjeçares, kush janë dy mjekët që u arrestuan

Vdekja e 25-vjeçares, kush janë dy mjekët që u arrestuan

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Elbasan ku një 25-vjeçare me emrin Rexhina Debrova, humbi jetën pasi lindi vajzën e saj, u arrestuan dy mjekë.

Bëhet fjalë për reanimatori Nikollaq Thano dhe kardiologu Mehmet Ibaj.

Sot lajmin e konfirmon edhe policia me një njoftim zyrtar.

“Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, arrestuan në flagrancë shtetasit:

M.I., 54 vjeç, banues në Elbasan dhe N.TH., 60 vjeç, banues në Cërrik, (të dy me detyrë mjekë pranë Spitalit Rajonal Elbasan), pasi gjatë operacionit (për lindjen e fëmijës) ka ndërruar jetë shtetasja R.D., 25 vjeçe, banuese në Elbasan.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, njofton policia.

Nga të dhënat paraprake thuhet se 25 vjeçarja Rexhina Debrova ishte paraqitur në maternitet në javën e 42 të shtatzënisë, sipas mjekëve 2 javë me vonesë.

Edhe pse operacioni ka shkuar shumë mirë, menjëherë pas daljes nga salla, pacientja ka pësuar “suspect trombeoli pulmonare” e ashtuquajtur infarkt mushkërie. Autopsia do të zbardhë më tej shkaqet vdekjes së 25-vjeçares.