Aktualitet Vdekja e ish-drejtorit të mjedisit në Korçë, e veshur me mister. Familja...

Vdekja e ish-drejtorit të mjedisit në Korçë, e veshur me mister. Familja shkon në Hungari

Për policinë hungareze, Aleksandër Çela ka varur veten në dhomat e paraburgimit në një prej komisariateve të këtij vendi.

Të njëjtën gjë thotë edhe raporti mjeko-ligjor, që një zyrtar i ambasadës hungareze në vendin tonë i ka dorëzuar dy ditë më parë në Pogradec familjarëve të 52-vjeçarit.

Nga ana tjetër, familjarët nuk kanë pranuar të bëjnë komente për vdekjen e njeriut të tyre, pasi janë në pritje të mbylljes së hetimeve.

Mësohet se familjarë të Çelës, një javë më parë janë nisur drejt Hungarisë për të mësuar më tepër për ngjarjen dhe më pas të tërheqin edhe trupin e ish-drejtorit të mjedisit në qarkun juglindor.

Në raportin, mjeko-ligjor të policisë hungareze, një kopje të së cilës tashmë e kanë dhe familjarët, thuhet se më datë 28 shtator në orën 14:00 në një nga dhomat e paraburgimit është gjetur i vetëvarur me shenja jete Aleksandër Çela.

Ai nuk ka mundur të mbijetonte, me gjithë ndihmën mjekësore të dhënë nga mjekët e komisariatit. Në këtë raport nuk sqarohen rrethana të tjera, nëse Çela ka qenë i vetëm në dhomë apo me persona të tjerë.

Arrestimi i një pogradecari

Ndërkohë, burime të siguruara thanë se pak ditë para se Aleksandër Çela të udhëtonte i vetëm drejt Hungarisë, në këtë vend është arrestuar një person tjetër nga Pogradeci. Ndaj këtij personi, policia ka ngritur akuzën e trafikimit klandestin. Ky person kishte njohje me Aleksandër Çelën. Por, një burim tjetër tha për gazetën “Shekulli” se kanë qenë familjarët e të arrestuarit ata që i kanë kërkuar Çelës të udhëtonte drejt Hungarisë për të mësuar më shumë për arrestimin e njeriut të tyre.

Ajo çfarë dihet është fakti që vetëm një ditë pasi kishte hyrë në këtë vend, policia ka arrestuar Aleksandër Çelën, lindur në Dardhas, e banues në Pogradec. 20 orë pas shoqërimit në mjediset e komisariatit, ai është gjetur i vetëvarur, me shenja jete nga gardianët e këtij komisariati. Ndërkohë, fakti që Çela është arrestuar nga policia hungareze sapo ka shkelur në këtë vend, tregon se dikush nga të arrestuarit ka treguar dhe emrin e tij si të përfshirë në këtë trafik klandestinësh. Burimi i siguruar nga gazeta, nuk e ka përjashtuar për asnjë moment ballafaqimin Çelës me pogradecarin e arrestuar në mjediset e komisariatit (emrin e të cilit, as në raportin mjeko-ligjor nuk bëhet i ditur), ballafaqim që duket se nuk ka qenë dhe aq normal. Bashkë me pogradecarin, janë arrestuar edhe persona të tjerë, të cilët në polici kanë deklaruar se nëpërmjet Hungarisë do të hynin në vende të BE-së.

Policia fillon hetimet

Krahas hetimeve që po kryen policia hungareze, mësohet se edhe nga sektori i krimeve në komisariatin e Pogradecit, kanë filluar hetimet për të mësuar më shumë për këtë linjë trafiku klandestinësh. E gjithë kjo, lidhet edhe me arrestimin e një vit më parë të Aleksandër Çelës në Itali, si dhe arrestimin e një tjetër pogradecari dhe më vonë dhe të Aleksandër Çelës. Deri tani policia pogradecare për arsye hetimi ka qenë tejet e mbyllur në dhënien e informacioneve për këtë çështje./Shekulli/