Aktualitet Vdekja tragjike e tre anëtarëve të familjes nga Kosova, dëshmojnë mjekët

Vdekja tragjike e tre anëtarëve të familjes nga Kosova, dëshmojnë mjekët

Pas ngjarjes tragjike që ka ndodhur në Durrës, ku humbën jetën tre pjesëtarët e familjes Haliti nga Gjilani i Kosovës janë proceduar penalisht dy mjekë.  Ata janë 60-vjeçari Jonuz Karaj dhe 54-vjeçari Shyqyri Beqja. Dy mjekët kanë dëshmuar në polici dhe kanë thënë se kanë ndjekur të gjitha protokollet e mjekimit ndaj tyre.

Sipas tyre, familjarët janë paraqitur në Qendrën Shëndetësore, janë trajtuar me serum dhe vitamina dhe më pas janë dërguar për në shtëpi. Mjekët kanë dëshmuar se familjarët kanë vdekur në një hark kohor prej 24 orësh. Dy mjekët po hetohen për mjekim të pakujdesshëm.

Tre anëtarët e familjes Haliti, Elfete, Afrim dhe Ferzinaze dyshohet se janë helmuar në Shqipëri nga ushqimi dhe më pas kanë ndërruar jetë.

Mësohet se 3 anëtarët e familjes Haliti kishin shkuar në Gjirin e Lalzit në banesën e tyre. Ata kishin konsumuar kërpudha pasi i kishin mbledhur vetë dhe pas disa orësh kishin shfaqur probleme shëndetësore. Të tre shkuan në qendrën shëndetësore të Manzës dhe u mjekuan për helmim.

Pas disa orësh dolën dhe u kthyen në banesën e tyre në Gjirin e Lalzit. Por ata ndjenë sërish shqetësime shëndetësore dhe gjendja e tyre u rëndua. Të tre u dërguan sërish në qendrën shëndetësore të Manzës, por për fat të keq njëri prej tyre ndërroi jetë e pas disa orësh ndërruan jetë edhe dy të tjerët.