Kosova Vdekjet e dyshimta me COVID-19, Hoti: Po hetohet nëse ka përgjegjës

Vdekjet e dyshimta me COVID-19, Hoti: Po hetohet nëse ka përgjegjës

Mëngjesin e së dielës në Kosovë dyshohet se katër pacientë me koronavirus kanë vdekur në Klinikën Infektive si pasojë e problemeve me aparatin e oksigjenit.

Gjatë paradites brenda kësaj klinike kanë qëndruar prokuroria, policia dhe drejtues të institucioneve shëndetësore, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Por, asnjëri nga ta nuk ka thënë asnjë fjalë para mediave. E pasdite, të gjithë këta u mblodhën në takim me Kryeministrin, Avdullah Hoti.

Pas afër dy orë takim, ministri i Shëndetësisë e as drejtuesit e institucioneve shëndetësore nuk dolën para gazetarëve. Aty foli vetëm kryeministri. Në mbi 10 minuta fjalim, Avdullah Hoti nuk përmendi në asnjë moment vdekjet e dyshimta.

Këtë e bëri vetëm pasi u pyet nga gazetarët, por nuk komentoi atë që ka ndodhur. I pyetur për vërtetësinë e raportimeve që 4 persona kane vdekur si pasojë e problemeve me aparatet e oksigjenit apo respiratorëve dhe për informatat e para që i ka ai, Hoti refuzoi të komentoi raportimet e mediave.

“Unë ju lus që për pyetje të tilla të keni parasysh edhe ndjeshmërinë e rasteve. Unë e di që stafi shëndetësor atje është duke bëre maksimumin për t’iu ndalë ndihmë edhe për të shpëtuar jetë. Nëse ka pas çfarëdo lëshimi, organet përkatëse janë marrë dhe do të merren me këtë çështje”, tha Hoti.

Klinika Infektive ishte rrethuar nga shiritat policor dhe forca të  shtuara të rendit që nga paradite e së dielës, derisa ende asnjë konfirmim zyrtar nga është dhënë nga asnjë institucion shtetëror. Versionin e dyshimeve të para se si kanë vdekur pacientët në Infektiv, ende nuk e ka dhënë ende as Policia e as Prokuroria, ndërsa është raportuar se trupave të pajetë do tu bëhet obduksioni.