Bota Vdes themeluesi i njësisë elitare të Navy SEAL Team Six

Vdes themeluesi i njësisë elitare të Navy SEAL Team Six

Richard Marcinko, një figurë legjendare ushtarake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i njohur si themeluesi i njësisë speciale amerikane Navy SEAL, ndërroi jetë të shtunën. Lajmin e konfirmoi djali i tij dhe Muzeu Kombëtar i Navy SEAL.

Marcinko ishte 81 vjeç. “Humbëm për Krishtlindje një hero, komandantin në pension të Navy SEAL dhe krijuesin e njësisë elitare, tim atë, Richard Marcinko”, shkroi në një postim në Twitter, Matt Marcinko. “Trashëgimia e tij do të jetojë përgjithmonë. Humbëm një legjendë”.

Richard Marcinko, veteran i Luftës së Vietnamit, ishte komandanti i parë i njësisë speciale SEAL Team Six, një grup i fshehtë i formuar në vitin 1980, që më vonë do të kryente disa operacione, mes tyre edhe atë të vrasjes së Osama Bin Laden në Pakistan, në vitin 2011.

Marcinko projektoi dhe organizoi skuadrën që dështoi në operacionin e shpëtimit të pengjeve në Iran gjatë administratës Carter. Pasi u tërhoq nga Marina në vitin 1989, ai shkroi disa libra, mbajti disa fjalime në publik dhe punoi edhe si këshilltar sigurie. Një njollë e zezë në karrierën e tij mbetet dënimi me 15 muaj burg, pasi u shpall fajtor për marrjen e një ryshfeti prej 100 mijë dollarësh nga një kompani armatimesh, për të siguruar një kontratë me qeverinë amerikane.

Sipas muzeut të Navy SEAL, ai e drejtoi njësinë elitare deri në korrik 1983. Ai e quajti njësinë e tij Team Six, edhe pse në atë kohë, marina amerikane kishte vetëm dy të tilla, për të mashtruar shtetet armike të kohës, veçanërisht Bashkimin Sovjetik, se SHBA-ja kishte disa skuadra elitare.