Aktualitet Vdiq pas lindjes / Prokuroria kërkon arrestimin e mjekut, por ai ka...

Vdiq pas lindjes / Prokuroria kërkon arrestimin e mjekut, por ai ka ikur në SHBA

25-vjeçarja Rexhina Debrova që humbi jetën

Prokuroria ka kërkuar arrestimin e mjekut nga Elbasani, Ardjan Kadaifçiu, i cili dyshohet si përgjegjës për vdekjen e 25-vjeçares, Rexhina Debrova, e cila humbi jetën gati një orë pasi lindi fëmijën e saj.

Mësohet se vendimi për arrestimin e mjekut është marrë një ditë më parë nga prokurori i çështjes, Xhelian Seferi.

Ai i ka kërkuar Gjykatës së Elbasanit, caktimin e masës së “arrestit në burg” në mungesë. Kërkesa e prokurorit për arrestimin e mjekut është bazuar në një akt ekspertimi mjeko-ligjor, ku qartësohen nga ana teknike shkeljet e kryera nga doktori Kadaifçiu.

Por edhe pse prokuroria ka nxjerrë një urdhër-arresti, mjeku nuk mund të arrestohet nga policia e Elbasanit, pasi ai është larguar në muajin gusht 2019 drejt Amerikës bashkë me familjen e tij.

Që prej ditës së parë familjarët e 25-vjeçares kanë hedhur akuza të forta në drejtim të mjekëve për neglizhencë.

Ndërkohë pritet ndërhyrja e Interpol për të bërë të mundur arrestimin e tij dhe ekstradimin më pas në drejtim të Shqipërisë, për t’u përballur me akuzat.

Po ashtu, kardiologu Mehmet Ibaj dhe reanimatori Niko Thana akuzohen për “mjekim të pakujdesshëm” dhe është kërkuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Rexhina Debrova humbi jetën në prill të vitit 2019 dhe që prej ditës së parë familjarët e 25-vjeçares kanë hedhur akuza të forta në drejtim të mjekëve për neglizhencë.