Politika Veliaj nis fushatën: Pse Rama do e sjellë vaksinën më shpejt në...

Veliaj nis fushatën: Pse Rama do e sjellë vaksinën më shpejt në Shqipëri

Një ditë pasi deklaroi se është shëruar nga Covid-19, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka nisur fushatën për mandatin e tretë të Partisë Socialiste.

Në një intervistë për Report TV-në, Veliaj tha se ai do të jetë në fushatë jo vetëm në vitin 2021, por që në vitin 2020 pasi “fushata bëhet përditë”.

“Besoj se Rama dhe PS do të kenë një mandat të tretë sepse Shqipëria ka nevojë për një mandat të tretë të Edi Ramës”, tha Veliaj.

Veliaj duke folur për pandeminë e Covid-19 tha se Edi Rama është lideri që ka miq personal shumë prej “kokave të botës” dhe se do të mund të sjellë në Shqipëri shumë shpejt vaksinën anti-Covid:

“Nëse një ditë do të dalë vaksina dhe do të ketë një garë mes kombeve, një lider si Rama do e sjellë më shumë shpejt vaksinën, se një tjetër që njeriu më i fortë dhe më i famshëm që njeh është kunati i tij”, duke ironizuar kështu edhe Lulzim Bashën.

Po ashtu Veliaj tha se Rama me lidershipin e tij dhe njohjet siguroi trefishin e fondeve që qeveria e Libanit siguroi pas shpërthimit të 4 gushtit:

“Rama ngriti trefishin e fondeve, krahasuar me fondet e mbledhura në Liban, që do të thotë ka shumë rëndësi se kush e drejton një krizë”.