Kryesore Veliaj tregon pse e prishën Teatrin natën

Veliaj tregon pse e prishën Teatrin natën

Kryebashkiaku Erion Veliaj është tregoi gjatë lidhjes së tij live përmes rrjetit social Facebook se përse vendosen që godinës ta shembnin natën.

Sipas tij, vendimi u mor për të shmangur përplasjen fizike me qytetarët, që do të ishte e rrezikshme.

“Konflikti mbi Teatrin eskaloi kur u përfshi politika, ashtu siç kur politika e djallosi kur u përfshi tek Astiri, siç e djallos sa herë që përfshihet tek lodrat që bëhen në Tiranë apo në projektet e tjera publike.

Ne gjykuam që do të ishte e rrezikshme për artistët, nëse do të prishej në çdo moment tjetër të ditës. Unë kam përjetuar 21 janarin, kur Saliu të vriste ditën. Për të respektuar vendimin e shumicës, zgjodhëm momentin kur mund të respektohej me riskun më të vogël. Kjo është arsyeja që ndërhymë në atë orë dhe më vjen mirë që nuk patëm të lënduar”, u shpreh ai.

Kreu i Bashkisë tha se gjuha e përdorur këto ditë tregoi edhe njëherë se ata që bërtasin, nuk kanë shkelur kurrë në teatër. “Këto mallkime, sharje dhe linçime të këtij niveli kaq banal, konfirmojnë atë që unë e kam ditur prej kohësh, që këta nuk janë material teatri, njerëz që përfshihen në këtë gjuhë të rrugaçtë dhe në këtë fjalor të ndyrë, qartazi nuk kanë shkelur kurrë në teatër.

Më kujton javën e fundit, ku grupet e militantëve që kishin radhën e tyre tek ngrehina e teatrit të vjetër më pyesnin kur dilja nga bashkia, lali Eri ku bie teatri se kemi radhën.

Kështu që, e kuptoj këtë, e kuptoj politizimin dhe hienat politike që mundohen të luajnë me sentimente të njerëzve që sigurisht janë tronditur nga ajo që ndodhi. Ishte një vendim i vështirë, për të cilin do të doja të flisja dhe kam listuar disa pyetje, por megjithatë një vendim i drejtë”, tha ai.