Aktualitet Veliaj u jep çekun e bebes dy fëmijëve të parë të 2018-ës

Veliaj u jep çekun e bebes dy fëmijëve të parë të 2018-ës

Tirana është bekuar që në orët e para të 2018-ës me 20 fëmijë të porsalindur. Laeli dhe Nadja janë dy fëmijët e parë që erdhën në jetë që në minutat e para pas mesnate. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi sot spitalet universitare Obstetriko-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni”, për t’iu dhënë çekun e bebes prindërve të fëmijëve.

Veliaj u shpreh i lumtur që viti i ri erdhi në mënyrën më të mirë për kryeqytetin, ndërsa theksoi se ardhja në jetë e 20 fëmijëve që në orët e para është një bekim për Tiranën. “Më vjen mirë që kemi pasur Laelin djalin e parë, Nadjan vajzën e parë, duke filluar që nga minuta e parë e këtij viti. E kemi nisur mbarë me dy qytetarë të rinj, që besoj do e bëjnë Tiranën më të mirë. Më jep shumë shpresë fakti që pothuajse pa shkuar mesi i ditës në dy maternitetet e Tiranës kemi në total rreth 20 bebushë të rinj dhe them që një qytet që vazhdon dhe rritet është një qytet që ka shpresë. Më e mira për Tiranën dhe për Shqipërinë është përpara”, tha kryebashkiaku.

Kreu i Bashkisë u shprehu mirënjohjen të gjithë atyre punonjësve që natën e ndërrimit të viteve kanë qenë në detyrë, në shërbim të qytetarëve. “Jam shumë mirënjohës në këtë ditë të parë të vitit për të gjitha uniformat, bluzat e bardha, uniformat e policisë, të gjithë ata që e kanë gdhirë natën duke pastruar. Qyteti sot është më i pastër, më optimist, më entuziast, por mbi të gjitha prej bebushave që i janë shtuar Tiranës. Detyra jonë është që derisa të rriten, të sigurohemi që të jemi në krye të detyrës, dikush si kryetar bashkie, dikush si drejtor spitali, dikush si mjek, si infermier. Nëse secili bën detyrën e vet, mund të kemi qytetin e ëndrrave tona”, nënvizoi Veliaj.