Kryesore Vëllezërit shqiptarë që ushqejnë mijëra vetë mes pandemisë në Amerikë

Vëllezërit shqiptarë që ushqejnë mijëra vetë mes pandemisë në Amerikë

Bekim dhe Burim Rexhaj, dy heronj të kohës sonë, që sfiduan rrethanat e vështira të krizës për të ushqyer të varfrit, e punonjësit e vijës së parë të frontit, nga zjarrfikësit e policia, te mjekë, infermierë e punëtorë të ndërhyrjes së shpejtë

Nga Ruben Avxhiu

Në këtë periudhë të rëndë të epidemisë nga koronavirusi, një ngushëllim që të ngroh zemrën ka qenë bujaria e disa shqiptaro-amerikanëve që janë shquar duke ndihmuar njerëz në nevojë.

Dy prej tyre, që janë dalluar që nga fillimi, me nismat e tyre, janë vëllezërit Bekim e Burim Rexhaj, që prej vitesh punojnë së bashku në biznes e dallohen në komunitet.

Në një kohë kur shumë prej nesh janë detyruar të tërhiqet në izolim shtëpie, apo të dalin me detyrim si punëtorë esencialë në vijën e parë të frontit, dy vëllezërit, u angazhuan vullnetarisht për të ndihmuar ata që janë më në nevojë si dhe ata që shkojë të parët drejt rrezikut.

Pikënisja është restoranti i tyre, i njohur si “Outta Hand Pizza” në Westfield, New Jersey, një prej lokaleve më të preferuara e popullorë në qytezë e rrethina. Në vend që ta mbyllnin, ai është përdorur për një mision të ri. Mijëra kuti me pica, ushqime e pije janë nisur drejt komuniteteve më të varfëra lokale, aty ku njerëzit nganjëherë vuajnë për bukën e gojës e ku pushteti lokal e shtetëror, shpesh vonon në kohë krize.

Në mënyrë të ngjashme, pastaj, dy vëllezërit dhe stafi i tyre kanë dhuruar ushqime e pije për stacionin e zjarrfikësve dhe të policisë, për spitalet dhe qendrat shëndetësore të zonës, për mjekë, infermiere dhe punonjës të shëndetësisë.

“Ata janë vija e parë dhe e fundit e mbrojtjes sonë”, shpjegon Bekim Rexhaj.

Më i madhi i dy vëllezërve, ai erdhi nga Peja e Kosovës, rreth 32 vite më parë, i detyruar për të lënë me dhimbje atdheun nga persekutimi i pushtuesit serb e shkatërrimi ekonomik. Megjithë vështirësitë e fillimit, që janë karakteristikë e jetës së emigrantit, Amerika u bë një shtëpi e dytë për të e familjen e tij.

Ndonëse e nisën nga asgjëja, Bekimi e familja punuan pa u lodhur, pa iu shmangur asnjë lloj pune sado e rëndë. Në fund, djersa dha rezultate. Dëshmuan sukses në biznesin e ndërtimtarisë e realizuan atë që e njohim si ëndrra amerikane. Por, asnjëherë nuk e harruan atdheun dhe kurdo që patën mundësi kontribuan për kauzën kombëtare, për lirinë dhe demokracinë në Kosovë.

Kurse puna me restorantin “Outta Hand Pizza” është e re, rreth dy vjet e gjysëm më parë, kur doli si mundësi biznesi dhe vendosën të angazhoheshin në Westfield, New Jersey. Ishte një zgjedhje që i ka kënaqur. Burim Rexhaj, i vëllai, ka punuar me pasion, që investimi të dalë me sukses. Restoranti eci shumë mirë dhe fitoi menjëherë popullaritet mes klientëve. Punësuan një numër shqiptarësh që kërkonin punë dhe u bënë shpejt pjesë e dashur e qytetit. Dy vëllezërit dinë si të sillen me njerëzit dhe kanë fituar zemrat e komunitetit të zonës me punën e tyre.

Kur kriza e koronavirusit paralizoi gjithshka, Outta Hand Pizza iu përvesh një misioni të ri. Askush nuk duhej të mbetej i uritur për shkak të gjendjes së krijuar. “Restoranti është biznes, por, paraja nuk është gjithshka”, thotë Bekim Rexhaj. “Këta njerëz në nevojë meritojnë vëmendje dhe pushteti lokal e shtetëror shpesh vonon në rrethana të tilla. E bëmë nga zemra jonë”.

Ata e njohin mirë zonën në Westfield me rrethina tashmë. E dinin se ku vuanin njerëzit dhe dërguan me bujari ushqime në ndërtesat e të vobektëve.

Në ditët dhe javët që vijuan, shprehën vlerësimin e tyre duke dëshmuar solidaritet me ata që ndodhen në vijën e parë të frontit, duke ndaluar me ushqime e pije në stacionet e policisë dhe të zjarrfikësve, në spitale e qëndra të ndihmës së shpejtë.

Një shembull të bukur se sa shumë po vlerësohet kjo bujari e tyre, e gjeta rastësisht në një website të njohur, “Yelp”, ku klientët shprehin përshtypjet e tyre për bizneset. Ja çfarë shkruan Sue L. që është punonjëse e Ndihmës së Shpejtë. “Hej Outta Hand! Doja vetëm të t’ju thoja faleminderit për ushqimin që dhuruat sot. Unë jam nga Ndihma e Shpejtë dhe ju erdhët me pica të dhuruara nga ju dhe klientë. Do të doja të falenderoja të gjithë. Nga shoferi i makinës mësova se po shpërndante 450 kuti me pica dhe u lumturova nga kjo gjë. Spitalet janë në nevojë të madhe vazhdimisht sepse si punonjës të kujdesit mjekësor, nganjëherë thjesht po harrojmë të ushqehemi e të hidratohemi. Kështu që faleminderit juve e faleminderit banorëve zemërmirë të Westfield për ndihmën tuaj.”

450 kuti picash në një dërgesë është vetëm një grimcë e bujarisë së dy vëllezërve që i shmangen publicitetit dhe nuk kanë bërë asgjë për të tërhequr vëmendjen te veprimtaria e tyre humanitare.

Ndonëse janë shumë të shoqërueshëm, të muhabetit, mikpritës, me opinione të forta e që nuk kanë frikë t’i shprehin, ata nuk kanë kërkuar vëmendjen e medias. E përsëri nuk i kanë shpëtuar asaj. Të gjitha kanalet televizive lokale, përfshi edhe rrjetin e njohur ABC kanë shkuar në restorantin e tyre për të filmuar vendin nga po dalin ushqimet që ndihmojnë kaq shumë njerëz.

“Kjo punë as nuk ka qenë në asnjë moment për publicitet”, më tha Bekim Rexhaj, gjatë një bisede telefonike, kur i tregova se po bëja një shkrim për ta. “Nuk ka nevojë ta dijë kush se çfarë po bëjmë. E di zemra ime dhe ajo mjafton”.

Bashkë me vëllanë, Burimin, e shohin si detyrë që të ndihmojnë ata që nuk kanë patur fat rreth tyre. Si dhe të dëshmojnë solidaritet me këta punëtorë të forcave të rendit e të zjarrfikësve me punonjësit e shëndetësisë me njerëz që na ruajnë, na shpëtojnë, e na shërojnë. Ata dalin çdo ditë në punë mes rrezikut dhe vëllezërit Rexhaj nuk kanë dashur t’i lënë vetëm.

Bekim Rexhaj kishte qenë disa herë në spitalin që ndodhet në Summit, New Jersey për të dhuruar ushqime për punëtorët. Ajo që nuk dinte ishte se aty ishte shtruar e pastaj kishte humbur jetën një mik i mirë i tij shqiptar, Kujtim Zherka.

“U trondita kur mora vesh vdekjen e tij. Por edhe kuptova se pse e kisha pasur atë ndjenjë të çuditshme kur rastisa të kisha shkuar aty, në një kohë me të”. Shumë njerëz të mirë na kanë humbur nga kjo epidemi dhe shpresa është e madhe që t’ia shohim fundin.

Ata që e njohin Bekimin dhe familjen e tij, e dinë se veprimtaria humanitare nuk ka filluar me epideminë. Jo vetëm për ndihmën për atdheun, po edhe në zonën ku vepron restoranti. Që përpara një viti e gjysëm, bashkë me Burimin kanë krijuar një program që kujdeset për veteranët në SHBA. Shumë vetë janë afruar të dhurojnë dhe kur nuk mbushet shuma, çdo gjë e shtojnë dy vëllezërit. Prej kësaj nisme kanë marrë shumë lavdërime e nuk ka mbetur zyrtar i zgjedhur i zonës, nga kryebashkiakja, te kongresistë e përfaqësues të pushtetit që nuk kanë ndaluar për t’i falenderuar.

Bekimi ma pret shkurt për ta. “Më shumë më ndihmojnë po të kryejnë punën për të cilën janë zgjedhur”, thotë ai. Sa më shumë të punojnë ata aq më pak kanë nevojë njerëzit e bizneset që të ndërhyjnë për bëjë bamirësi. Po kështu edhe në atdhe. Pas kaq vitesh pavarësi e demokraci, ku është përgjegjësia e politikanëve për dështimet e tyre? Ka ardhur koha që diaspora t’u kërkojë llogari përpara se të pranojë të ndihmojë edhe njëherë për kauzën.

Sa për bamirësitë e këtyre ditëve, ato janë kënaqësi në radhë të parë për vetë dy vëllezërit.

“E kam ndërgjegjen e pastër dhe prandaj fle i qetë”, thotë Bekim Rexhaj. “E tani që m’u dha mundësia të ndihmoj këta njerëz, do të fle edhe më mirë.”