Aktualitet Vendimi i papritur i Ramës: Të gjitha vendet e lira të punës...

Vendimi i papritur i Ramës: Të gjitha vendet e lira të punës në shtet do u ofrohen studentëve!

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi një masë të fortë sa i përket rekrutimeve në administratën publike ku të gjitha vendet e lira do t’u ofrohen studentëve.

Në daljen para mediave, pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri tha se studentët e ekselencës brenda e jashtë vendit, të universiteteve publike apo private, do të kenë mundësinë që të zgjedhin pa konkurs por përmes një sistemi vendin e punës në administratën publike.

”Është një vendim i Këshillit të Ministrave për punësimin e studentëve më të mirë në institucionet e administratës shtetërore, pjesë e shërbimit civil. Sot për sot studentët më të mirë kanë pengesë sepse kur shkojnë për të konkurruar u thuhet se s’ke ekeperiencë. Është ligj europian.

Po ne do të bëjmë publike në vijim vendet e lira në administratën publike ku pa konkurs, por me kreditet e arritjeve personale në universitet studentët më të mirë, ata që janë në xhiro dhe që nuk gjejnë punë dhe ata që janë jashtë dhe thonë se ikëm se nuk mu dha mundësia të punoj në administratë, ata do të mund të zgjedhin vetë vendin. Shembull, 20 vende të lira në Ministrinë e Financave janë në dispozicion të më të mirëve në financë dhe më i miri nga lart poshtë ka zgjedhjen e parë. Mund të thotë dua apo nuk dua. Kur thotë dua, vendi është i zënë.

Do pak punë sistemi po besoj se brenda 6 muajve do të kemi gati sistemin me këtë rend prioritar; ekselentët që kanë studiuar jashtë kanë zgjedhjen e parë, ekselentët e universitetit publik zgjedhjen e dytë dhe ekselentët e universitetit privat kanë zgjedhjen e tretë. Një vendim tjetër për vendet e lira në shtet jo në administratën publike, Hipoteka, Aluizni të gjithë vendet e lira në administratën jopublike do të jenë në dispozicion të më të mirëve. Do të shpallen publikisht e do të jenë të monitorueshme”, njoftoi kryeministri.