Aktualitet Vendimi për Bechetin “fundos” gjyqtaren Agolli, shkarkohet edhe gjyqtarja e Korçës

Vendimi për Bechetin “fundos” gjyqtaren Agolli, shkarkohet edhe gjyqtarja e Korçës

Gjyqtarja e Tiranës, Kaçe Agolli

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtaren e Tiranës, Kaçe Agolli dhe gjyqtaren e Korçës Ariola Kristo. Gjyqtaret rezultuan me probleme sa i takon pasurisë. Për gjyqtaren e Tiranës, Kaçe Agolli Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi probleme edhe sa i takon profesionalizmit.

Ndër to një vendim i vitit 2009, në favor të biznesmenit italian Francesco Bechetti kundër kompanisë Enel.

Vendimi i treshes gjykuese, mes të cilëve edhe gjyqtarja Agolli i dha kompanisë së biznesmenit italian një dëmshpërblim prej 433 milionë eurosh që duhej të paguhej nga kompania italiane Enel lidhur me mosndërtimin në kohë të HEC të Kalivaçit.

Relatorja e çështjes së Agollit Valbona Sanxhaktari, pjesë e një trupë të drejtuar nga Xhensila Pine me anëtarë Olsi Komicin, vuri në dukje se vendimi i gjykatës shqiptare i lënë në fuqi në të tre shkallët, ishte cilësuar nga gjykata Supreme në Amsterdam si një “gabim i dukshëm” mbi fakte e prova për të cilat “asnjë gjykatë nuk do të kishte dalë me vendim të ngjashëm”.

Edhe gjyqtarja Ariola Kristo shkarkohet nga detyra

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të premten vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Korçës, Ariola Kristo.

Gjyqtarja Ariola Kristo

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të mërkurën Komisioni bëri me dije se kishte gjetur gjatë hetimit administrativ një sërë problemesh në pasuritë e gjyqtares së Korçës Ariola Kristo. Problemet lidheshin kryesisht me mungesën e burimeve të ligjshme për ndërtimin e një shtëpie 3 kate plus bodrum në qytetin e Korçës në vitet 2006-2008. Në seancë u relatua se nga analiza financiare ishte konstatuar balancë negative fondesh ne shumën 6.8 milionë lekë, për kryerjen e investimeve dhe përballimin e shoenzimeve.