Aktualitet Vendimi për Dritan Dajtin, Gjonaj: Aferë korruptive, vetting për gjyqtarët

Vendimi për Dritan Dajtin, Gjonaj: Aferë korruptive, vetting për gjyqtarët

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj e ka konsideruar vendim skandaloz dhe të paligjshëm uljen e dënimit për Dritan Dajtin, të cilit Apeli i Krimeve të Rënda i pranoi gjykimin e shkurtuar, duke e shpëtuar nga burgimi i përjetshëm.

Në një deklaratë për mediat, ministrja Gjonaj tha se institucioni që ajo drejton do t’i kërkojë Këshillit të Lartë Gjyqësor që të marrë masa disiplinore ndaj gjyqtarëve që kanë dhënë këtë vendim.

Po kështu, ajo kërkon nga institucionet e reja të drejtësisë, KPK dhe ONM, që të shqyrtojnë vendimet e gjyqtarëve që dhanë vendimin për Dajtin, kur të kalojnë në filtrin e Vettingut.

““Kemi të bëjmë me një aferë korruptive. Vendimi i gjykatës për uljen e dënimit ndaj Dritan Dajtit është skandaloz dhe i papranueshëm. Vendimi është në kundërshtim me çdo standard të procesit penal dhe përbën precedent të rrezikshëm.

Qeveria dhe kjo shumicë as nuk e ka dhe nuk synon vendosjen e kontrollit mbi drejtësinë.

Por në raste të tilla papërgjegjshmërie nuk mund të rrijë pa reaguar me të gjitha format ligjore. Ministria do t’i drejtohet KLGJ-së për të marrë masa disiplinore ndaj gjyqtarëve.

I kërkoj KPK dhe ONM që në vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të fokusohen në elementë të tillë. Mbështes prokurorinë në ankimimni në Gjykatën e Lartë”, tha ministrja Gjonaj.