Sport Vendos UEFA: Ja ku do të luhen sfidat e kthimit 1/8 finale...

Vendos UEFA: Ja ku do të luhen sfidat e kthimit 1/8 finale të Champions-it

Siç dihet, pjesa e mbetur e Ligës së Kampionëve do të zhvillohet zyrtarisht si një mini-turne tre raundësh në Portugali, në gusht. Sidoqoftë, së pari duhet të kualifikohen edhe katër ekipe të tjera për të marrë pjesë në “Final Eight” të Lisbonës dhe rrethinave të saj.

Me Atlético Madrid, Leipzig, Atalanta dhe PSG, tashmë në çerekfinale, mbetet të luhen edhe ndeshjet e kthimit të 1/8 finale: Juventus-Lyon, Barcelona-Napoli, Bayern-Chelsea dhe Manchester City-Real Madrid, për ta kompletuar raundin e radhës në këtë kompeticion.

Sipas raporteve nga “As”, këto lojëra do të luhen në vendet “origjinale”. Kjo do të thotë në stadiumet shtëpiake të Juves, Barçës, Bayernit dhe Manchester City.

Pra, bie poshtë pista e Porto dhe Guimaraes, ku UEFA shpresonte ta transferonte plotësisht atë që ka mbetur nga Champions-i. Gazeta spanjolle shpjegon se vendimi ka ardhur pas presionit të fortë nga klubet, veçanërisht Manchester City dhe Barcelona, ​​të cilat duan t’i luajnë në stadiumet e tyre sfidat e kthimit të 1/8 finale, duke mos iu ofruar avantazhe të fushave neutrale Real Madridit dhe Napolit, respektivisht. Në çdo rast, natyrisht, ndeshjet do të luhen pas dyerve të mbyllura.