Sport “Vendosa bast 100 euro”, si Szczesny e çorientoi Messi-n para penalltisë

“Vendosa bast 100 euro”, si Szczesny e çorientoi Messi-n para penalltisë

Wojciech Szczesny është padyshim një nga protagonistët absolut të Kupës së Botës në Katar. Portieri i Juventusit spikati në ndeshjen kundër Argjentinës, duke ndalur penalltinë e tij të dytë në kampionatin botëror.

Portieri ndali yllin e futbollit, Lionel Messin, i cili po gjuante nga pika e bardhë, në një moment që ndeshja Poloni-Argjentinë ishte ende 0-0.

Përtej humbjes 0-2 ndaj Argjentinës, Polonia kaloi në 1/8 e Botërorit, falë golavarazhit krahasuar me Meksikën.

Pas ndeshjes, vetë Szczesny, para se të festonte për kualifikimin në fazën e të 16-ave të Kupës së Botës, tregoi një ngjarje interesante.

Duke folur për “TV 2 Sport”, portieri i Juventusit zbuloi se çfarë ndodhi para penalltisë.

“Ne folëm para penalltisë dhe i thashë se kisha vënë bast 100 euro që nuk do ta realizonte”, tha ai.

Një shaka e cila megjithatë fsheh edhe një qëllim tjetër, duke qenë se me këto fjalë portieri tentoi të destabilizonte kapitenin e Argjentinës që tashmë ishte gati të ekzekutonte penalltinë.

Më pas portieri i kishte thënë argjentinasit, që as ndeshjen nuk do e fitojnë dhe parashikimi i tij nuk rezultoi i saktë, me Szczesny që më vonë bëri shaka për këtë: “Kështu që humba një bast kundër Messit. Nuk e di nëse bastet lejohen në Kupën e Botës, ndoshta ata do të më penalizojnë. Megjithatë, unë nuk do ta paguaj, ai ka mjaft para”.