Aktualitet Vendoset sekuestro preventive për 41.500 m2 tokë në Theth, ish-zyrtari ua kaloi...

Vendoset sekuestro preventive për 41.500 m2 tokë në Theth, ish-zyrtari ua kaloi fëmijëve

Me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata ka vendosur sekuestro preventive për rreth 41.500 m2 tokë në zonën turistike të Thethit, e dyshuar si e regjistruar në emër të disa shtetasve të ndryshëm në bazë të dokumentave të fallsifikuar të përpiluar nga ish-kryetari i Komunës Shalë (Theth), Dedë Tonaj, në bashkëpunim me ish-vartësit e tij, Tom Shyti dhe Gjovalin Lokthi.

Prokuroria e Shkodrës bën me dije se është në përfundim të hetimit për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” për tre ish-zyrtarët, ndërkohë që ka marrë lejen nga gjykata për caktimin e masës së sekuestros për pronat e shpërndara prej tyre, në bazë të procedurave fiktive dhe jo-ligjore.

Në bazë të një hetimi të mëparshëm të Prokurorisë së Shkodrës, lidhur me veprimtarinë e ish-drejtuesve të Hipotekës së qytetit, kanë rezultuar të dhëna të tjera mbi veprime të dyshuara si të paligjshme të kryera nga ana e ish-zyrtarëve të Komunës Shalë (Theth).

Ish-kryetari i komunës regjistroi tokën në emër të fëmijëve

Prokuroria bën me dije se “në vitin 2008, ish-Kryetari i Komunës Shalë, Dedë Tonaj, ka udhëruar nëpunësin e komunës, shtetasin Tomë Shyti, me detyrë inspektori i taksave pranë komunës dhe kryeplakun Gjovalin Lokthin, të plotësojnë formularë të Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) për banorët e fshatit Theth, në një kohë që nuk është ngritur komision për ndarjen e tokës në fshat ku këta te kenë qenë anëtare dhe nuk është ndjekur asnjë procedurë ligjore për ndarjen e tokës për banorët e fshatit Theth”.

AMTP janë plotësuar nga shtetasi Tomë Shyti, i cili në rubrikën “Për komisionin e tokë në fshat……Kryetari” ka vënë emrin e tij dhe ka nënshkruar në këtë cilësi pa e patur atë.

AMTP janë vulosur nga kryetari i Komunës Shalë Tomë Shyti dhe nga kryeplaku në atë periudhë kohe shtetasi Gjovalin Lokthi, duke i dhënë këtyre akteve vlerën e dokumentave zyrtarë.

Nga te dhënat e pasqyruara në AMTP-të, si dhe nga te dhënat e tjera hetimore, përveç faktit se AMTP janë lëshuar nga autoriteti jo kompetent ligjor krahas te tjerave  rezulton se me to u është dhënë pronësia për tokat ne fshatin Theth edhe  personave/familjeve që nuk janë banorë të këtij fshati ose që janë banore në fshatra të tjerë te Shkodrës ose në qyetete te tjera apo fshatra të tyre (rreth 67 te tilla) dhe personave, të cilët kanë lindur shumë vite pas dt.01.08.1991, që janë te dtl.1995, 2000….2007 (në bazë të ligjit 7501/1991 përfitonin tokë anëtarët e familjeve bujqësore në vitin 1991).

Ish-kryetari i Komunës Dedë Tonaj, në bashkëpunim me shtetasin Tomë Shyti, me detyrë inspektori i taksave pranë komunës dhe kryeplakun Gjovalin Lokthin, ndër të tjera, ka lëshuar AMTP në kundërshtim me kriteret e përfitimit te tokës edhe në favor të fëmijëve të tij, shtetasve A. Tonaj (dtl. 1998) dhe A Tonaj (dtl. 2001).

Në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se në bazë të këtyre akteve joligjore, janë regjistruar në Hipotekën e Shkodrës pronat në një sipërfaqe totale prej rreth 41.500 m2 në zonën e Thethit, ndërsa pjesa tjetër e pronave janë në proces regjistrimi.

Për këtë arsye, Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar sekuestrimin e pronave të regjistruara në Hipotekë në emër të 5 shtetasve të ndryshëm, me qëllim që të shmanget tjetërsimi i mëtejshëm i tyre.

Ndërsa për tokat e përfituara në mënyrë të paligjshme, por që vijojnë të jenë në proces regjistrimi në Hipotekë, Prokuroria e Shkodrës njofton Avokaturën e Shtetit për të vijuar procedurat e mëtejshme për të rikthyer në ligjshmëri procesin e ndarjes së tokave në ish-komunën Shalë (Theth).