Bota Venezuelë, 80 foshnje vdiqën nga mungesa e energjisë elektrike

Venezuelë, 80 foshnje vdiqën nga mungesa e energjisë elektrike

80 foshnje kanë humbur jetën në repartin e të sapolindurve në një spital të Venezulës, I cili është prekur nga mungesa e energjisë elektrike që ka paralizuar të gjithë vendin. Lajmi shokues raportohet nga mediat vendase, të cilat citohen dhe nga senatori amerikan, Marco Rubio.

Ndërsa në Karakas, qeveria e Nicolas Maduros njoftoi vendimin për mbylljen e shkollave dhe institucioneve, lideri i opozitës, Juan Guaido kërkon shpalljen e gjendjes së emergjencës kombëtare, në një vend që po kalon një krizë shumë të rëndë financiare dhe humanitare.

“Do t’i kërkoj Asamblesë Kombëtare që të dekretojë gjendjen e emergjencës kombëtare. Ne duhet të veprojmë ndaj kësaj katastrofe menjëherë. Ne nuk mund ta neglizhojmë. Nuk mund t’i kthejmë shpinën popullit tonë. Të gjithë qytetarët në Venezuelë kanë të drejtë të protestojnë”, tha Juan Guaido, lider i opozitës.

Kanë kaluar disa ditë që prej nisjes së blackout-it më të madh në historinë e shtetit amerikano-latin, dhe Venezuela është plotësisht e bllokuar. Lajmet më dramatike vijnë nga spitalet që nuk mund të përdorin pajisjet që shpëtojnë jetë.

Presidenti Maduro e cilëson këtë situatë një sabotazh të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Por kritikët shprehen se kjo erdhi për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit. Aktualisht nuk ka një shpjegim për problemin dhe as ndonjë njoftim se kur mund të zgjidhet. Qytetarët mendojnë se kjo situatë mund të zgjasë përgjithmonë.