Extra Vera më e shtrenjtë në botë kushton sa një apartament, dhe është...

Vera më e shtrenjtë në botë kushton sa një apartament, dhe është hungareze

Kur flitet për verëra të mira dhe të kushtueshme zakonisht mendja na shkon në vreshtat franceze ose në ato në Toskana të Italisë.

Por rekordi për shishen e verës më të kushtueshme tani shkon diku tjetër, në lindje.

Bëhet fjalë për Hungarinë, vendlindja e verës së famshme Tokaj, një emër aspak i panjohur për dashamirësit e pijes alkoolike.

Dëshmitë e para të kësaj vere fillojnë në 1576, dhe citohen edhe në himnin kombëtar të atij vendi.

Fama e tij arriti në Perëndim dhe ishte pija e preferuar e Luigjit XIV, Mbretit Diell, që mësohet të ketë thënë: “Është vera e mbretërve, dhe mbreti i verës”.

Sot prodhuesi i kësaj vere ka vendosur në treg një edicion special të kësaj vere, të quajtur Royal Tokaj, vetëm 18 shishe nga 1 litër e gjysmë secila, me një vlerë 40 mijë dollarë.

Një vlerë rekord, për një prodhim të vitit 2008, por pjesërisht e justifikuar, përtej shijes karakteristike, edhe për teknikën e prodhimit dhe mundësinë e vjetrimit.

Rrushi i destinuar për këtë verë mblidhet kokërr në kokërr, dhe përllogaritet që për një shishe verë të tillë duhet deri në 1 tonelatë rrush.