Politika Vetëbetimi i Arta Vorpsit si gjyqtare kushtetuese, flet noterja që e nënshkroi

Vetëbetimi i Arta Vorpsit si gjyqtare kushtetuese, flet noterja që e nënshkroi

Arta Vorpsi

Edhe pse neni 129 i Kushtetutës, thotë se mandati i një gjyqtari kushtetues, fillon ditën që betohet përpara Presidentit të  Republikës, Arta Vorpsi, e renditur e para nga KED-ja, vendosi të betohet përpara një notereje.

Veprimi i Vorpsit erdhi menjëherë pasi Presidenti deklaroi se nuk e thërret për betim, sepse për atë vakancë ka dekretuar kandidaten tjetër, Marsida Xhaferllarin.

Vetë noterja ku u krye akti, përjashton të ketë zhvilluar një ceremoni betimi.

“Vorpsi ka paraqitur një deklaratë të hartuar jashtë zyrës sime të noterit, erdhi me deklaratën si çdo qytetar tjetër, dhe unë kam vërtetuar vetëm nënshkrimin e saj. Thjesht hodhi firmën në praninë time. Unë nuk mund të marr atributet e Presidentit”, tha ajo.

“Deklarata është 20 mijë lek të vjetra, 4 mijë lek TVSh dhe 2 mijë lek taksa e pullave. Bëj mbi 10 deklarata në ditë të njerëzve të ndryshëm. Arta Vorpsi është klientja ime, që përpara 5 ose 6 vitesh ka ardhur ka noterizuar dokumente”, deklaroi noterja Miranda Xhemalçe.

Veprimi i noteres u mbështet dhe nga dhoma kombëtare e noterëve.

“Noteri thjesht ka bërë detyrën. Përpara noterit është paraqitur një qytetare e cila ka bërë një deklarim, ka shprehur vullnetin dhe noteri është i detyruar në bazë të ligjit për noterinë të bëj vërtetimin e nënshkrimit të qytetarit që është paraqitur pranë tij”, tha Mimoza Sadushi.

E pyetur nëse betimi i Vorpsit para noteres ka të njëjtën vlerë si para Presidentit, për këtë Sadushi nuk zgjodhi të bënte asnjë koment, ndërsa tha se kjo duhet të zgjidhet nga ana e institucioneve.

Presidenti reagoi përmes zëdhënësit duke thënë se nuk pengonte askënd të betohej as tek noteria, as tek parukierja.