Histori Veterani i luftës dhe i punës, Josif Muzha, që e vranë padrejtësisht...

Veterani i luftës dhe i punës, Josif Muzha, që e vranë padrejtësisht dhe me paramendim

Josif Muzha, u lind në Stamboll më 20 Janar të vitit 1914, me prindër; Eleni nga Iliokomis, Kavala e Greqisë, martuar me Mihali Muzha nga Sheperi i Zagorisë. Është fëmija i tretë i familjes nga shtatë gjithsej; gjashtë vëllezër dhe një motër. Arsimin e mesëm e kreu në Athinë ku studioi për mjeksi.

Në vitin 1941 krijon familje me Nashi Sheper dhe në vitin 1943 përfshihet me lëvizjen kundra pushtuesve nazi-fashist. Si fillim, rreshtohet në radhët e çetës territoriale Andon Zako Çajupi dhe më pas me Brigadën e 8-të Sulmuese që luftonte në Qarkun e Gjirokastrës. Prindërit e tij, nuk jetonin përgjatë luftës dhe të afërmit e tjerë, nuk jetonin në Shqipëri dhe si e tillë, vetëm Josifi doli partizan.

Çiftit Muzha i erdhën në jetë gjashtë fëmijë, të cilët janë lindur para, përgjatë dhe pas LANÇ-re. Emrat e tyre janë: Piro (1942), i cili ka punuar elektriçist. Eleni (1944), Androkli (1945), ka punuar tenik ndërtimi dhe ka luajtur futboll gjithashtu me ekipin e “Minatorit”, përgjatë viteve 1964-1967. Meropi (1947). Evjeni (1949), recituese dhe 5-herë fituese në konkursin e fjalës artistike. Thimjo (1951), i cili ka punuar hidraulik në thellësitë e nëntokës edhe në sipërfaqe të minierës.

Xha Josifi, si fillim ka punuar qiraxhi me kafshë, për furnizimin e krahinës dhe infermier vullnetar deri në vitin 1951. Ndërsa bashkëshortja e tij, Athinaja ka punuar në bujqësinë e fshatit, ku për arsye shëndetësore ndërpret punën.

Duke punuar i vetëm dhe për të siguruar më shumë të ardhura dhe një jetë më të mirë për familjen e tij, në vitin 1951, bashkë me familjen vendosen me banim në Memaliaj.

Xha Josifi ka punuar me përkushtim në disa fronte të minierës së qymyrgurit të vendburimit të Memaliajt. Ai ka punuar arganist tek arganella e Sektorit të I-ë që shërbente për transportin e punëtorëve nga qyteti dhe që shkonin në punë përtej lumit Vjosë dhe anasjelltas. Gjithashtu, kjo arganellë shërbente edhe për transportin e qymyrgurit dhe mbushnin hambarët ku më pas ngarkoheshin makinat e tipit Lunverdhë dhe e shpërndanin sipas nevojave nëpër vende të ndryshme të Republikës tonë. Ai ka punuar edhe në fronte të ndryshme në thellësitë e nëntokës dhe në sipërfaqe të minierës.

E tregojnë njeri të qetë, punëtor, duke parë gjithmonë hallin e tij, i gjendur për të ndihmuar edhe të tjerët edhe pse i rrezikohej jeta e tij. Janë të shumta rastet, por po ju sjell vetëm një nga ato që kam dëgjuar nga bisedat që bënin më të mëdhenjtë.

Flas për një kohë kur emri i xha Josifit përmendej shumë nëpër qytet, por ata që e njihnin mirë dhe nuk hezitonin ta shprehnin të vërtetën, qoftë në rrethet e ngushta e më gjerë, tregonin për gjestet e tij fisnike. Ashtu i pushtuar nga qetësia e një trimi partizan që luftoi për atdheun e nuk u mburr kurrë, siç bënin disa pas lufte, nuk mori parasysh edhe jetën e tij, për të shpëtuar jetën e tjetrit.

E kam fjalën për një rast në minierë, që do t’i kushtonte me jetën. Ishte elektricisti Muhamet Lola, të cilin e kishte zënë tymi e gazi në thellësitë e nëntokës dhe e kishin lënë brenda ata që u ndodhën aty dhe në vend që ta ndihmonin, bënë të kundërtën duke vrapuan për të dalë jashtë sa më shpejtë, për të shpëtuar kokat e tyre. Xha Josifi, me ta dëgjuar, vrapon për tek fronti i punës dhe pasi e gjeti përdhé, e mori në krah dhe të dy dolën në sipërfaqe për të përshëndetur diellin përsëri, pa harruar të përshëndesin edhe “heronjtë” që e brakstisën elektriçistin Muhamet Lola, të cilin e lanë vetëm në mëshirë të fatit. Jeta e elektriçistit Muhamet Lola, ishte shumë afër për të përjetuar kurthin e radhës që po përgatiste nëntoka, por fal guximit dhe zemërgjerësisë së xha Josifit, u shmang kjo tragjedi!

Veterani Josif Muzha, ka dhënë kontributin e tij edhe nëpër aksionet me kontribute vullnetare që organizoheshin nga miniera, nga lagjja apo qyteti, duke u ardhur në ndihmë fshatrave të goditura nga tërmeti, bujqësisë, hapjes së transheve dhe mbledhjes së fidaneve që vendoseshin për të gjelbëruar qytetin përreth dhe nëpër lagje. Për punën dhe përkushtimin e tij në minierë, është dekoruar si aktivist i Bashkimeve Profesionale.

Në vitin 1970-ë, del në pension dhe merr 9400 lekë së bashku me 1000 lekë të partizanllëkut, por më vonë ia heqin, pasi bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit, qëllimisht dezinformojnë, vetëm për ta groposur për së gjalli dhe për të përfituar sadopak në sytë e Partisë dhe të Sigurimit të Shtetit!

Emri i xha Josifit po dëgjohej gjithandej nëpër qytet, pasi e tillë ishte jehona e tragjedisë që i kishte shkaktuar kurthi nga sigurimi i shtetit me bashkëpunëtorët e tij, të cilën do ta lexoni në vazhdim.

Para pak muajsh, pyes djalin e tij Androkli Muzha, për të mësuar të vërtetën, ai shprehet: “Ngaqë babai im kishte katër vëllezër në Greqi, të cilët jetonin dhe punonin aty qysh para luftës, të cilët nuk i mohoi asnjëherë. Këto rrethana u shfrytëzuan nga spiunët vullnetar të Sigurimit të Shtetit, të Memaliajt, të cilët u treguan të gatshëm për t’i bërë keq. Ja dhe emrat e tyre të cilët janë …, të cilët kanë deklaruar kundra babait për agjitacion dhe propagandë. Sinqerisht, po t’i përmendësh sot denoncimet e tyre, janë qesharake për ata që i kanë thënë, por po aq qesharake edhe për ata që i kanë besuar, e deri tek marrja e vendimit për burgosjen e tij! Pas rrëzimit të diktaturës, me anë të përpjekjeve tona, dosjen e burgosjes së babait me të gjitha detajet, që nga akuzat e rreme, emrat e spiunëve e deri tek dënimi dhe vuajtja, e çuam në Strasburg për t’u rigjykuar dhe doli i pafajshëm edhe me ligjet e asaj kohe.”

Sinqerisht, disa emra qarkullonin dhe i dija, por kur mësova për disa emra të tjerë që kanë dalë dëshmitarë të rremë, jam befasuar! Djali i tij Androkliu, nuk u ndruajt për emrat e tyre duke më dhënë disa ngaqë ishin shumë, pasi është me të vërtetën dhe kjo e vërtetë është ende e arkivuar në dosjet e fushës që i mbron shteti dhe pse i përkasin sistemit të kaluar. Fatkeqësia më e madhe ishte se midis këtyre emrave janë edhe disa që e mbajmë dhe për burra të mirë, të ngulur, por edhe për bashkëfshatar të tij. Një ditë, besoj do e takoj Androkliun, për të parë dosjen, me detajet dhe emrat e tyre.

Më 21 Maj të vitit 1988, veterani i luftës Josif Muzha ndërron jetë, ndërsa bashkëshortja e tij Athinaja, ndërron jetë më 29 Nëntor të vitit 1993.

Xha Josifin nuk e mbaj mend shumë qartë, siç mbaj mend pjesën më të madhe të brezit ë vjetër, të të moshuarve, të cilët i takoja nëpër radhët që mbanim kur shkonim për të bërë psonisjet. Më kam përjetuar shumë tronditës lajmin e arrestimit të tij, në mos gaboj në Durrës në një nga ditët e nxehta beharore që nuk më kujtohet viti! Ziente qyteti! Më shumë gumëzhinin spiunët! Dëgjoja se ishte “Agjent shumë i fshehtë që mbante lidhje me të huajt, kryesisht me grekët dhe një lidhje të vjetër me gjermanët që nga koha e luftës dhe se kishte zgjedhur Durrësin, për të bërë kontaktet dhe dhënë informacionet. Ka qenë dhe partizan!!” Këto i dëgjoja shpesh jashtë, siç flisnin njerëzit në atë kohë. Në mendje më godiste shpesh shprehja: “Ka qenë edhe partizan …!” Kjo më shqetësonte më shumë, pasi më kryqëzonin edhe mendime dhe pikëpyetje të tjera të shumta si: “Si ka mundësi kjo lidhje kaq jetëgjatë dhe zbulohet pas kaq kohësh?”. “Kaq i fortë qenka sigurimi i shtetit që t’i zbulojë këto lidhje?!”. “Çfarë e ka detyruar këtë partizan, për të tradhëtuar idealin dhe vendin e tij?! Të gjitha këto mendime, më shoqëronin si gozhdë të padukshme të ngulitura në kokë!!

Më vonë, mësova disa detaje nga një rreth i ngushtë memaliotësh të cilët ishin mosha e vëllait tim dhe më të mëdhenj se unë, por nga natyra ime, gjithmonë fitoja besimin e tyre. Kemi qenë ulur përtej lumit Vjosë, tek rëra te vendi me toponim “Shkëmbi i vogël”. Vendi ishte pak i fshehur dhe çdokush mund të fshihej dhe t’na dëgjonte. Unë si më i vogël nuk kuptova asgjë nga biseda larg e larg që bëhej, por dëgjova një më të madh në moshë që na tha të shkojmë të hidhemi me not nga Kasaphana dhe vijmë prapë. Rrugës filloj biseda, por pa zënë emra në gojë! Dëgjova se atë e morën në qafë disa bashkëqytetar që sajuan një situatë sikur xha Josifi ishte agjenti i grekëve dhe komunikonte natën me radio-marrëse duke u dhënë të dhëna. Madje këta kishin kohë që e survejonin. Spiunët vullnetarë ishin të moshave dhe profesioneve të ndryshme. Ishte një celulë që kishin ngritur dhe mbanin në optikën e tyre. Kur kanë shkuar dhe i kanë bërë kontroll në shtëpi, nuk i kanë gjetur gjë, përveç një radio dore të tipit “Adriatik”! Të gjithë të celulës së spiunëve vullnetarë, por edhe sigurimi i shtetit, ngelën me gisht në gojë, por prapë e morën shumë shpejtë situatën nën kontroll, duke nxjerrë alibinë tjetër, se nga radioja e dorës, jepeshin dhe merreshin të dhënat!!

Nga çfarë dëgjova, askush nuk e besonte akuzën që i kishin ngritur xha Josifit, aty u vinte shumë keq për këtë veteran, por po aty bënin edhe bisedë me njëri-tjetrin, duke i këshilluar se duhet të mos i përdornin radiot e dorës siç ishin ato që i quanim “Radio Fatosi”dhe “Radio Adriatiku”, pasi mund t’i drejtohej akuza çdokujt, nëse ishin në fantazitë e më pas në listën e vullnetarëve shpirtvegjël!

Ndërmend më kaluan disa kujtime të pak viteve më para dhe saherë që i kujtoja, më shumë më friksonin! Si çdo pionier të asaj kohe, edhe unë iu drejtova Shtëpisë së Pionierit të qytetit tonë. Jam regjistruar si fillim në klasën e Radio-Teknikut, për të mësuar teorikisht dhe funksionuar praktikisht radioja, por edhe për të dalë me njohuritë e një tekniku që mund të riparojë radioja dhe televizorë. Që ditën e parë, instruktori na foli për hyrjen e lëndës teorike, ku padyshim u përmend radioja e parë pioniere në botë, e cila quhej “Radio Galen” ose në literatura “Radio a Galena”. Kjo Radio kishte filluar të lindte në sajë të përpjekjeve të vazhdueshme në fundin e shekullit XIX (19) dhe më praktike në fillimin e shekullit XX (20). Si fillim këto radio ishin për të marr sinjale radiofonike të cilat transmetoheshin me anë të kodit Morse. Na foli se sa e thjeshtë ishte kjo radio për ta ndërtuar dhe se me këtë radio primitive, merrje valë radiofonike, ku mund të dëgjoje edhe Radio Gjirokastrën. Aty na u tha se, nëse të gjithë po të përpiqeshim për të bërë diçka apo improvizuar dhe ta sillnim në klasën e javës së ardhshme, do të ishte sukses dhe krenari e paparë për këdo që do arriste në këtë qëllim që ishte edhe si detyrë klase. U impresionova shumë, dhe kjo i ra në sy edhe inspektorit që na jepte këtë kurs dhe i premtova se me ndihmën e babait do ia dilja mbanë për ta ndërtuar dhe do ta sillja për ta prezantuar në klasë. Gjithmonë duke i njohur aftësitë e babait tim në fushën elektro-mekanike dhe se në bibliotekën e tij, më shumë kishte literatura të fushës së kësaj shkence, sesa veprat e partisë apo botime letrare. Është një arsye tjetër, që do ketë momentin e saj për të shprehur të vërtetën.

Të gjithë u larguam, dhe me një frymë mbërrita në shtëpi. Babai mezi priste të më pyeste që si kaloi dita e parë, pasi ishte ideja e tij të më fuste në atë kurs njëditor në çdo fundjavë. I fola për gjithë ecurin, dhe e pyeta se: A ishte në dijeni dhe në gjendje të më ndërtonte një Radio Galen, për ta prezantuar ditën e dytë të kursit? Ai u shprehë i sinqertë se: “Është radioja e parë pioniere dhe kam pas ndërtuar kohë më parë, në fillimet e profesionit tim, për të shuar kureshtjen, por e kam prishur pas pak ditësh. Është shumë e thjeshtë për mua, duke marr një kapak çajniku që luan rolin e receptorit, një bobinë apo transformatorë për të ndërtuar dhe në vend të antenës, një kabull bakri i veshur me gjatësi të caktuar duke e lidhur me radion dhe me tokën. Por thuaj instruktorit që babai nuk është kaq i aftë të ndërtojë pajisje të tilla! Më pa në sy dhe më përqafojë fort! Nuk e di psenë e forcës së komunikimit të shpirtit në ato vite, por për shumë lëvizje në atë kohë që të merrnin jetën edhe të familjes, ne kuptoheshim me një fjalë dhe mbanim besën në heshjte. E them këtë, pasi kjo e radios, ishte në fillim të klasë së 5-të, ndërsa në moshën 6-vjeç, kam dëgjuar me baban “Zërin e Amerikës”, ku rastësia lindi natyrshëm dhe nuk mund ta harrojë atë natë dhjetori, ku “Zëri Amerikës”, transmetoi se dy shokë shqiptarë patën përfudnim krejt ndryshe. Njëri fitoi lloton me 17 milion dollar (1973) dhe tjetri shkoi në burg për vrasje për vuajtur dënimin 17 vjet. Në vitin 2002 e lexova këtë histori në “Gazetën Ilyria”. Në ato vite e quajta si një kod komunikimi, por dekada më vonë e pashë që ishte një realitet.

Shkova në klasën e radhës, por dhe në dy të tjera dhe nuk mësonim asgjë. Babai më tha që: “Nuk ja vlen të vesh”. E pash që nuk ja vlente, pasi në vend të mësonim si bëhej kjo radio edhe pse në atë moshë, ne ishim vetëm për të ngrënë akullore, shtruar gurë në qetësin e rrjedhës së Vjosës apo mbledhur thana në Pyllin e Karaules që ndodhej përtej Vjosës.

Vite më pas shikoja sesi loznin futboll me hungareze babai, Androkli Muzha, Vangjel Paço, një me emrin Zeman që punonte tek “Brigada e shpëtimit” etj, që nuk më kujtohen. Luhej tek pjesa e fushës në krahë të furrës së bukës. Më shumë shikoja Androkli Muzhën, jo si luante aq bukur, por për fatin e babait të tij që u dënua padrejtësisht, po ashtu shikoja babanë tim dhe mendja më kalonte tek “Radio Galena”, që do ta kishte ndërtuar, padyshim që do e kishte fatin e Josif Muzhëz. Shprehem kështu, pasi shokët e kursit, nga gëzimi moshës, do e përhapnin fjalën dhe kjo do binte patjetër në veshët e Sigurimit të Shtetit, të cilët do ta shfrytëzonin për ta dënuar, pasi ishim në dijeni se survejoheshim si familje! Por Zoti është i madh, dëshmitar, mbrojtës dhe jep parandjenja që të ndalosh diçka për të parandaluar diçka tjetër që është në pritje dhe të ka ngritur pusinë! Që nga ajo kohë, e kam kujtuar gjithmonë xha Josifin, për të zbardhur sadopak pamjen e tij në kujtesën time, pasi familja e tij ka banuar shumë afër me familjen e gjyshit tim Demir Malka. Më vonë, kur fëmijët e Josifit u martuan të gjithë, mori hyrje tek dykatëshja e parë, në krah të frigoriferit, ku banonin edhe familje të tjera, ku po në këtë dykatëshe filloi edhe tragjedia e kësaj familje!

Zoti i mëshiroftë, pasi të gjithë që kam pyetur, më kanë dhënë të njëjtat emra të spiunëve që më ka dhënë edhe djali i tij Androkli Muzha, Kan qenë një celulë mbi 15 emra që janë marr për të groposur emrin e veteranit Josif Muxha, por harrojnë të kundërtën dhe të vërtetën, se qielli nuk është tokë për të gropur, por është shtëpia e Zotit, që shikon, por nuk harron! Të gjithë memaliotëve të ndershëm u ka ardhur shumë keq për xha Josifin dhe familjen e tij! E dinin të vërtetën, por nuk mund të flisnin hapur, pasi do të kishin edhe ata të njëjtin fat!

Pas burgosjes së veteranit të luftës Josif Muzha, familja e tij u godit nga lufta e klasave që nuk mungonte as në qytetin e vogël Memaliaj. Për ata që mbaj mend nga fëmijët e tyre, siç ishin familjet e Androkliut dhe Thimios, edhe pse lufta e klasave ka qenë sistematike, ata nuk e kanë mohuar asnjëherë babanë e tyre. Së bashku me fëmijët e tyre, gjithmonë e kanë përmendur me krenari babanë dhe gjyshin e tyre, i cili luftoi për të çliruar vendin nga pushtuesit dhe punoi me përkushtim për ta rindërtuar dhe zhvilluar më tej atë.

Por fatin e xha Josifit e kam ndeshur edhe tek romani “Dështaku”, i shkrimtarit Dritëro Agollit, jo për historinë e tij, por për një personazh të ngjashëm. Tregonte për trimin partizan Xhelo Mara, nga një zonë e Korçës, i cili ishte shumë i njohur për bëmat e tij duke vënë në rrezik disa herë jetën, për të shpëtuar të të tjerëve. Pas lufte, e çojnë të drejtojë një kooperativë dhe del me sukses edhe pse disa prisnin që të dështonte. Një lojë e madhe me prapaskena për ta dënuar, por mbijetoi kur shkonte për shqyrtim në shkallë më lartë që e njihnin mirë Xhelon. Dhe në fund ja marrin jetën me një atentat, po ata që përgjatë luftës bënin tregëti dhe ndihmonin italianët dhe gjermanët dhe në fund të luftës na dolën si mbështetës së LANÇ-re, pasi në shtëpinë e tyre kishte qëndruar pak kohë i plagosur partizani Xhelo Mara. Kishte qëndruar i plagosur në shtëpinë e tyre, pasi djalin e tregtarit e kishte bashkëmoshatar dhe njiheshin dhe ky i fundit i kërkonte ndihmë sa herë Xhelos për motrën e tij, e cila flinte natë më natë me oficerat italianë e më pas gjermanë. Duke parë që motra e tij ishte shumë e bukur dhe me një shikim i harrbonte shpejtë oficerët, ku e zinte dita, nuk e zinte nata. Ai i kërkoi ndihmë Xhelos që t’i hiqte qafe këta oficerë, pasi jo vetëm ishin armiqtë tanë por të ndalonte me këtë rast edhe motrën e tij! Xhelua i kishe hequr qafe dy oficer nga ata që flinin me atë vajzën, por me të tretin u plagos në përpjekje dhe rruga më e afërt ishte të strehohej tek djali tregtarit që e kishte edhe të njohur. Për këto ditë qëndrimi të Xhelos, pas lufte tregtari e trumbetoi se kishte ndihmuar lëvizjen, por edhe Xhelua nuk e mohoi dhe e ndihmoi për të përfituar këtë status. Mirëpo ky djali tregtarit, më pas u ngritë në detyrë në sigurimin e shtetit dhe erdhi të hetonte Xhelo Marën, për çështje të suajuara nga vetë po ata. Në një natë të errët me stuhi, bashkë me vrasësin, ishte edhe kunati i Xhelos, i cili edhe ky kishte përfituar nga emri i Xhelos, e vrasin, pasi vetëm vdekja e trimit Xhelo, do të merrte me vete zërin dhe shpirtin e të vërtetës! Romani është i bazuar në histori të jetuar. Të tillë ka patur shumë përgjatë diktaturës që u kanë marr jetën njerëzve të ndershëm si memaliotit, Josif Muzha, Xhelo Mara dhe shumë e shumë të tjerëve!

Ndoshta u zgjata pak, por tani ndihem i qetë, dhe padyshim që edhe shpirti i xha Josif Muzhës ndihet i qetë dhe i çliruar nga e kaluara, por edhe përpara gjithë atyre memaliotëve të vërtetë dhe fisnikë që nuk mundën ta ndihmonin në atë sistem vrasës dhe famëkeq. Turp të kenë ata që e vranë xha Josifin dhe këtë e kanë edhe prej shpirtit të tij, ku padyshim shumë prej këtyre nuk kanë për ta takuar në jetën tjetër, pasi i miri shkon në Parajsë, ndërsa i keqi në Ferr!

Me përulje të thellë, por edhe në emër të të gjithë atyre memaliotëve që i kanë dhënë të drejtë shpirtërisht në atë kohë, e nderojmë dhe e respektojmë thellësisht nga zemrat tona emrin e tij dhe shpirtin e tij që tashme prehet në Parajsë, atje ku i keqi nuk shkon dot, por as edhe spiunët!

Pasi mbërrita në mbyllje të këtij shkrimi, mendova t’ja dërgoja për ta lexuar mbesës së tij, Arsiola Muzhës, për t’u qartësuar në ndonjë të dhënë që kisha mbledhur dhe e kisha përfshirë në këtë shkrim dhe nëse mundej, të siguroja prej saj ndonjë fotografi për të shoqëruar shkrimin. Arsola për shumë vite, jep mësim në lëndën e matematikës për gjimnazistët e Memaliajt, dhe gëzon respekt, jo vetëm si bashkëqytetare, por edhe si mësuese e përgatitur dhe metodiste në dhënien e mësimit. I kisha shkruajtur kohë më parë, për të marr ndonjë të dhënë për gjyshin e saj, nuk kisha marr përgjigje, por nga përgjigjja që mora këto ditë prej saj këto, e kuptova dhe i japë shumë të drejtë, pasi edhe unë nuk e pata të lehtë ta lexoja, ngaqë u trondita dhe u përlota nga çfarë lexova. Duke mos bërë asnjë ndryshim në përgjigjen e saj, vendosa që t’ja bashkangjis këtij shkrimi, të cilin do ta lexoni në vijim.

Arsola Muzha: Gëzuar Pashkët! Krishti u ngjall!

Është vërtet që gjyshi im Josif Muzha, që ne i flisnim për respekt Papu, ku në greqisht i flitet gjyshit, ka ndërruar jetë në orën 04 të mëngjesit, të datës 21 Maj të vitit 1988-të. E mbaj mend, pasi ndërroi jetë në ditën e 10 vjetorit tim të lindjes.

Ndërsa gjyshja ime Athina Nashi ka ndërruar jetë më 29 Nëntor të vitit 1993. Korrigjojeni, pasi vitin e largimit të saj e keni bërë 1998. Ajo mbajti mbiemrin e saj. Pasi u divorcua me të, ngaqë e detyruan kur e dënuan bashkëshortin e saj. Ajo nuk e bëri me shpirt, por për të shpëtuar familjen dhe fëmijët, nga internimi por edhe dënimet me burgim! Sinqerisht, nuk më takon mua të flas, ngaqë nuk mbaj mend shumë detaje, pasi kam qenë vetëm 1-vjeç, kur arrestuan Papun. Por duke u rritur, kam mësuar jo në kohë detaje nga kureshtja ime si fëmijë dhe më vonë, duke mësuar të vërtetën. Mbaj mend, kur kam qenë në klasën e parë, dëgjoj një shoqen time, që më thoshte se do shkonte me familjen e saj në varreza ku prehej gjyshi i saj.

Kur vajta në shtëpi, kam pyetur mamin: “Po gjyshi im nga babi, ku e ka varrin?”

Nuk mora përgjigje!

Më pas, ka qenë muaji Prill, kur në shtëpinë tonë mbriti një telegram, të cilin e mori vellai. Ai po hidhej mbi krevat nga gëzimi dhe bërtiste: Papuja, Papuja, do vijë Papuja …!! Kush është ky Papo? -e pyes unë tim vëlla.

Ai me tregoi një histori të tij, të cilën prapë mami nuk më kishte kthyer përgjigje, kur i isha drejtuar disa herë!!

Si shumë fëmijë të familjeve në atë kohë, nganjëherë vishnim edhe ndonjë bluzë të njëri-tjetrit. Mamaja kishte një përparëse të bardhë të vëllait tim, që ja vishte sa herë që shkonte në kopësht. Unë si më e vogël, kur mbusha moshën për në kopësht, e kam veshur. Siç e dimë, në ato vite, qëndisej edhe emri me ngjyrë të kuqe, në të majtën e ballinës së përpases. Në përpasen time ishte vetëm gërma ‘J’, e shtypit. Si fëmijë, kjo më shqetësonte, pasi emri im fillonte me ‘A’ dhe pse duhej të mbaja në përparëse gërmën ‘J’!

Nuk e dija se vëllai im e kishte patur emrin e gjyshit Josif Muzha. Vëllai im ka për vendlindje Vlorën, nga është edhe mamaja ime dhe sytë i kishte ngjyrë qielli (edhe pse muaj më vonë i ndryshuan ngjyrën). Papua u gëzua shumë, pasi nipi i lindi me sytë e tij dhe vendosi ta pagëzonte me emrin e tij Josif. Nuk ishte aq e lehtë për t’i vendosur këtë emër, pasi babait i thonin që këtë emër e keni në familje. Por, mbas një muaji, me këmbënguljen e babait duke u thënë: “Unë këtë emër kam dhe këtë dua t’i vendos djalit! Veproni si të doni!”. Pas një muaji mezi vendosën në gjendjen civile për t’i vendosur këtë emër! E solla këtë rrjedhojë, për të dalë tek tronditja shpirtërore dhe psikologjike që ka kaluar im vëlla, ku ai ka qenë vetëm 5-vjeç. Në këtë moshë i kanë ndërruar emrin me forcë, nga Josif në Bledar! Kjo ndodhi pa dëshirën e tij, pa dijeninë dhe pa pëlqimin e familjes! Në atë kohë, edukatorja e tij, ishte L.K, e cila e merr prej dore tim vëlla dhe e çon në gjendjen civile për t’i ndërruar emrin dhe u bë fakt i kryer me vendim, duke qenë dëshmitare edhe punonjësja e gjendjes civile dhe ndonjë tjetër që nuk e di!

Këtë ma ka treguar vetë vëllai edhe pse isha e vogël në moshë. Përjetonte një presion psikologjik, pasi e shanin të gjithë ngaqë kishte emrin e gjyshit. Aq shumë e shanin kudo që ndodhej, duke e goditur me shprehjet, “Cife agjenti, Cife spiuni…!”, sa që e shkatërruan komplet një fëmijë! Vëllai më tregoi se kishte parë një film shqiptar, ku një fëmijë e kishte emrin Bledar dhe se e kishte gjyshin partizan. Nga ky presion, vendosi të zgjidhte këtë emër! Atë ditë mësova, pse përparësja ime mbante gërmën ‘J’. Ai vazhdoi të më tregonte se gjyshi nga ana a babait ishte gjallë, por i burgosur.

Pasi koha kalonte dhe ne kuptonim më shumë, në shtëpinë tonë mbrrin një telegram për të na vënë në dijeni për gjyshin tonë ku shkruhej, “Ejani dhe merreni se ndodhet në spitalin e Tiranës, se ka dalë i pafajshëm.” Nuk e mbaj mend se për kë spital bëhej fjalë. Por unë duhej t’i betohesha vëllait, se nuk duhej t’i tregoja asnjërit, derisa prindërit të më tregonin vetë, në një moment që ata besonin se unë do isha në gjendje për t’i kuptuar.

Nuk mund të harroj momentin, kur jam kthyer në shtëpi. Tek kopështi që po ndërtohej si ndërtesë, gjeta copëza shkume të ngurta prej rëre, të cila i gjeta në rrugë. I mora dhe vrapova nga gëzimi për t’ja çuar mamasë, se me ato e kisha parë të lante mirë tenxheret. Kur vete në shtëpi me një frymë, bërtas që nga jashtë: “O ma, o ma, kanë hapur derën!”, pasi e pash derën pa kyç …! Hap derën, përball, në guzhinë, pashë të rinte mbështetur në divan një burrë që nuk e njihja! Prej tij më vjen një zë i dashur dhe më thotë, “Eja Sola, eja te Papo! E lash derën të përplasej duke vrapuar jashtë nga frika! Te dera jam përplasur me vëllezërit dhe motrën, pasi fëmijët e xhaxhait i kam të tillë. Emrat e tyre janë, Monika dhe Taulanti, që shkurt i flasim, Mona dhe Landi, janë fëmijët e xhaxhait Androkli. Ndërsa Bledari që për ne është edhe Josifi i vogël, është vëllai im, ku pas ndërrimit të sistemeve është pagëzuar me emrin Kristo.

E frikësuar shumë, u thashë; “Ka hyrë një botë brenda në shtëpi!!”. Ata qeshën me mua dhe Mona më kapi prej dore. Pasi u qetësova, tek dera filluam të rreshtoheshim të gjithë sipas moshës. Unë mbeta e fundit, si më e vogla. Të gjithë fëmijët u futën me radhë për ta takuar, unë ende tek dera! Gjyshi nuk lëvizte nga vendi, jo se nuk donte, por nuk mundej nga torturat çnjerëzore që i kishin bërë dhe si e tillë, ishte i paralizuar!

“Eja Sola, eja takoje…Ky është gjyshi ynë, Papo.” më thanë të tjerët. Ky moment më ka dhënë përqafimin tim të parë me gjyshin, puthjet e para dhe që më mbante plot dashuri në krahët e tij! Nuk mund t’i heqë nga mendja ato momente! U mbusha me gëzim të paparë, pasi mësova që Papo ishte gjallë dhe midis nesh, por që më në fund, kisha edhe unë një gjysh si gjithë fëmijët e tjerë, e aq më shumë ai do të jetonte së bashku me ne. Kam qenë 6 për 7-vjeçe, kur e kam njohur gjyshin. Pak nga pak, Papo, arriti të fitonte dashurinë time. Për 3-vjet rreth, në gjirin e familjes tonë, ishin si një mësim për mua, pasi çdo veprim apo thënie e tij, kanë ngelur të vyera edhe sot për mua.

Nuk mund të harroj, një natë më parë, kur ai është ndarë nga jeta, pasi më premtoi se do festonte me mua 10-vjetorin e ditëlindjes tim duke me blerë qerasjet te lokali Goricës që e quanim kështu ne memaliotët. Më jepte lekët dhe unë shkoja dhe i blija çfarë pëlqeja më shumë. Shkoja, pasi ai ishte i paralizuar dhe nuk doli më jashtë nga shtëpia, pas daljes nga burgu. Të nesërmen, dita e 21 Majit të vitit 1988, mori për në jetën tjetër baban dhe gjyshin tonë të dashur. Edhe pse ai është larguar dhe na vështron nga lart, ne e festojme bashkë gjithmonë. Ai është engjelli im mbrojtës. Në mendjen time mbetet Papo që ulej në një karrige, jashtë derës pranë pramakut të drunjtë ku mbështeste gishtat e thatë me thonj të zverdhur nga nikotina e cigares partizani, që e mbante të ndezur dhe më priste mua t’i çoja konjakun e blerë te kioska e dhamarintë, te Gorica. Ai e pinte dhe e shoqëronte me kafen e vendosur mbi parmak. Janë shumë fakte, që nuk më takon mua të flasë, pasi kam dëgjuar plotë histori! Di plotë fakte që s’të kam kthyer përgjigje, pasi po akuzojnë njerëz për vuajtjet e tij! Nuk është e drejtë të vuaj fëmija për shpirtin e të atit, pasi çdo njeri mbartë në këtë jetë mëkatet e tij, e jo të të tjerëve! Ndaj fajtorë për mua ishte sistemi, vetë ata që u bën spiunë dhe e kanë emrin në proçesin gjyqësor, por jo brezat e tyre, pasi askush nuk ka faj për diçka që kanë bërë gabim apo i kanë detyruar baballarët apo gjyshërit e tyre! Po do emrat e tyre, mund t’u bëjë nga një fotografim dhe ta dërgojë gjithë proçesit gjyqësor, ku aty mëson të gjitha detajet. Nga çfarë po më kërkon në lidhje me gjyshin, meqë ra fjala për ndikimet në dënimin e tij, është edhe një histori e dhimbshme që sigurimi i shtetit nuk duhej ta shfrytëzonte këtë fatkeqësi, pasi nuk kishte lidhje fare me akuzat e rreme që u ngritën ndaj tij. Është një fatkeqësi që ka ndodhur dekada më parë. Nuk mund t’i them spiun një kushëririt tim që e detyruan të depononte! Ja të shpjegohem si në vazhdim dhe pastaj le të gjykojmë! Gjyshi im Josifi, së bashku me bashkëshorten e tij Athinan (gjyshja ime), kishin edhe dy binjak, para se të vinte në jetë babai im Thimjo Muzha. Binjakët quheshin Evgjeni dhe Vasil dhe mosha e tyre ishte 1-2 muajsh. Jeta e Vasilit ishte vetëm një shkëndijë në këtë botë, pasi u kthye për të jetuar atje ku jetojnë engjëjt. Ai bie nga duart e njërit prej fëmijëve të kushëririt që po e mbante dhe nga goditja, humbi jetën. Gjysh Josifi dhe gjyshe Athinaja, kishin shkuar në një dasëm dhe nuk dinin asgjë për këtë. Për mos të prishur dasmën, e marrin fëmijën, dhe e varrosin pa thënë gjë në fshat dhe shkojnë atje edhe pse me dhimbje në shpirt.

Maja e gjyshes time Athina, pra stërgjyshja ime, nuk u tregon të vërtetën fëmijëve të kushurinjëve, në momentin kur erdhën për të parë beben. Ajo u thotë: “Erdhën dhe e morën xhaxhallarët që banojnë në Greqi, pasi ishte shumë sëmurë dhe atje do marr ndihmë mjekësore më të mirë.” Duke u folur e duke u dhënë karamele. Ai fëmijë që tregoi këtë fatkeqësi në fshat, u mor me forcë nga sigurimi i shtetit pas 30 vjetësh, për ta treguar në gjyq. Ishte fëmijë dhe bëri çfarë i thanë, pasi u detyrua nga regjimi që ta përsëriste edhe pas 30 vjetësh, vetëm që të përmbushej plani i sigurimit të shtetit, edhe pse nuk kishte lidhje fare me çfarë e akuzonin Papon. Kjo fatkeqësi mund t’i ndodhte çdokujt, pasi të gjithë fëmijët më të rritur, kanë dëshirë të paparë për të mbajtur bebe në duart e tyre, pasi dashuria e fëmijëve për fëmijët më të vegjël, është e papërshkrushme, është ëngjëllore.

Ajo që me ngelet të them është se; të gjithë ata që patën gisht në dënimin e gjyshit, do t’i dënojë vetë Zoti, kudo që të jenë! Më detyrove të laj mirë fytyrën me lot.

Në lidhje me fillimet e punës që ka bërë gjyshi, di që ai ka punuar në Athinë. Ka qenë një spital privat, dhe aty punonte bashkë me vëllan e tij dhe nipin. Vëllai i tij dhe nipi, të dy kanë punuar doktora. U detyruan të blinin shtëpi në Sheper, pasi u sëmurë motra e tyre e vetme. Si e tillë, vëllezërit vendosën që ta shoqëronin me radhë në Shqipëri, mamanë e tyre Elenin dhe motrën. Në atë kohë i zuri lufta dhe ngelën nga këtej kufirit. Aty Josifi u njohë me Athinan, ku shkëmbyen pëlqimet e tyre dhe u martuan. Ata u futën shumë në zemrat e njëri-tjetrit, ku edhe pse Josifi, nuk dinte shqip dhe për t’i shprehur dashurinë e tij Athinas, merr një tufë me lule arre dhe ja dhuron asaj. Kur u mbyllën kufijtë, Josifi me një nga vëllezërit e tij dhe motren, mbetën këtej, pra në shtetin Shqiptar. Vërtetë ai punonte siç e kishin shkruajtur edhe ju më lart, por ai ngaqë ka punuar në mjeksi, bënte edhe vizita për të sëmurët në Sheper, në zonën përreth, por shkonte edhe përtej kufirit, për të vizituar të sëmurët dhe bënte edhe operime kur ishte e domosdoshme. Në atë kohë lufte, nuk kishte vlerë leku dhe banorët grekë që banonin matan kufurit, i dërgonin si shpërblim, mushka të ngarkuara me grurë dhe me këtë punë mbante familjen. Me mbylljen e kufijve, Josifin e akuzonin se vazhdonte të shkonte matan kufirit për të vizituar të sëmurët dhe kthehej përsëri në fshat. Edhe pse kjo nuk ishte e vërtetë, Sigurimi i Shtetit, vazhdonte ta akuzonte dhe e quajti spiun!

Një nga arsyet që pse Sigurimi i Shtetit filloi ta gjurmonte, e lidhnin për faj të vëllait të tij, Anastasin, i cili punonte oficer grek në ambasada të ndryshme greke nëpër botë. Ishte puna e tij, si shumë punonjës të ambasadave të ndryshme nëpër botë. Nga ky fakt se i vëllai i punonte në një nga ambasadat, kishin ngritur alibinë se i vëllai Anastasi, kishte pyetur punonjës gjatë takimeve të ambasadorëve, nëse rronte i vëllai i tij Josifi. Nuk ishte faji i gjyshit tim dhe i askujt në këtë rast, nëse interesohet vëllai, motra apo të afërm që janë ndarë për shkak të mbylljes së kufijve pas luftës. Është njerëzore të dish për fatin e familjarëve në këto raste, por ata që mbajtën në këmbë diktaturën, fantazonin dhe vepronin ndryshe, pra çnjerëzisht! Ndërsa Eleni, që është motra e Josifit, ka punuar mësuese. Ju e keni në një nga fotografitë e Albumit Historik, ku aty kam komentuar edhe unë se kjo është halla ime.

Një tjetër rast shumë tronditës për familjen tonë, është kur gjysh Josifi, ndërroi jetë! I sollën arkivolin, shtratin e fundit për ta përcjellë për në banesën e fundit. Arkivoli ishte shumë i shkurtër me pretekstin se ishin standard. Gjyshi ishte dy metro burrë dhe si do prehej në atë shtrat. Xhaxhi im Anrokliu, së bashku me baban tim, Thimjon, në vend që ta qanin, u detyruan që ta prishnin arkivolin duke e zgjatur me dhoga të tjera që mundën të gjenin përreth. Mamaja detyrohet t’i heqi copën e jorganit, për të patur më shumë vend në arkivol, ku ata të komunales justifikoheshin se ishin standart, por kjo ishte një tjetër vrasje me porosi ndaj gjyshit dhe aq më shumë që ai ishte nisur për në jetën tjetër! A ishte e drejtë, që djemtë e tij, në vend që të qanin baban e tyre, të detyruar bënë edhe marangozin! Edhe pse pajetë trupi i gjyshit tim, levat e sigurimit vazhdonin të zbatonin porositë për të vazhduar ndëshkimin!

A ishte e drejtë që djemtë, në vend ta qanin të atin e tyre, ata bënin marangozin? Edhe i vdekur do vazhdonte ndëshkimi! E gjithë kjo, vetëm pse ai ishte grek!! Gjë më të rëndë nuk ka!! Në ato ditë zije, shtëpia jonë ishte bosh, pa njerëz! Përcjellja për në banesën e fundit nuk u lejua që të bëhej në Memaliaj, pasi nxorën një tjetër pretekst se pasaportizimin e kishte në Fier, kur për të votuar gjyshi ka votuar në Memaliaj para se ta dënonin, por edhe kur doli nga burgu, ngaqë ishte i paralizuar, kutinë e votimit ja sillnin në shtëpi. Gjyshi dhe gjyshja duheshin shumë dhe natën që shpirti i tij, la trupin, ata ishin të dy pranë njëri-tjetrit edhe pse të detyruar të ndaheshin në letra, duheshin me shpirt dhe ishin të dashuruar në zemrat e tyre. Ishte ajo që e ndieu se këtë herë, ai po e linte vetëm fizikisht, por jo shpirtërisht. Trupi pajetë i gjyshit, u nis për në Fier, për t’u prehur në banesën e fundit, por shpirti i tij, ngeli dhe na shoqëronte gjithmon në familjen tonë, pasi e kujtonim me dhimbje e mall, çdo çast dhe në çdo ditë gëzimi që kishim në familjen tonë të madhe. Këtë e bëjmë edhe sot në shenjë nderimi për Papon, i cili u dënua dhe u keqtrajtua nga ai sistem, deri në momentin që ai mbriti për t’u prehër në banesën e fundit!

Unë të shkruajta vetëm disa nga kujtimet e mia! Secili nga ne, ka kujtimet dhe këndvështrimet e veta. Nëse i shkruan vëllait tim dhe e pyet, do të tregojë se, ishte fëmijë kur para syve të tij, i vunë thikën në fyt gjysh Josifit dhe i thoshnin “Trego ti po nuk do të ndëshkohet Josifi i vogël, të cilin e kishin marrë nga kopshti, bashkë me gjyshe Athinanë dhe i kishin çuar në hetusin e Tepelenës. Kjo kishte ndodhur pa i vënë në dijeni, prindërit e mi dhe familjen e xhaxha Androkliut. Vëllai, por edhe vetë gjyshja, më kan treguar se si e qellonin në sy të bashkëshortit të saj që e kishin në hetusi, por edhe të nipit të saj, Josifit të vogël! Edhe pse i vogël në ato vite, i mban mend shumë mirë shkallët dhe dhomën ku e mbanin gjyshin, nëse do çojnë tek godina edhe pse kanë kaluar disa dekada. Për më shumë, ju mund t’i drejtoheni vetë Kristos dhe keni për të marr më shumë detaje që ai i ka përjetuar.

Isha e vogël për të mbajtur mend më shumë detaje. E kam fjalën për një nga ditët e gushtit të vitit 1979, kur arrestuan gjyshin.

Në një nga ditët e gushtit të vitit 1979, kur arrestojnë gjyshin, mami më tregon gjithmon, se ishte në spital me mua, kur vinë dhe e vënë në dijeni për arrestimin vjehërrit nga Sigurimi i Shtetit të asaj kohe. Ashtu e tronditur tej mase, më ka lënë në sorum, për të vajtur në shtëpi dhe të takonte të familjes për t’i pyetur, pasi ishte e pabesueshme kjo ndodhi!! Çdo gjë u përmbys!!

Desha të jepja edhe këto detaje që po më kujtohen për momentin. Kur doli nga burgu gjyshi, e morën nga spitali Tiranës me taksi dhe prej andej, për në Memaliaj. Ai nuk i hidhte dot këmbët, pasi ishte e paralizuar. Ngadalë-ngadalë, filloi me shkop të ecte shumë pak, aq sa mundej të shkonte tek porta e jashtme e shtëpisë dhe të ulej krah parmakut ku pinte kafene konjakun dhe prej andej shikonte ndeshjet e futbollit që luanin shtaçe memaliotët, tek fusha e zezë, që ndodhej përballë shtëpisë tonë, midis rrugës kryesore që hyje në qytet dhe godia e banjave ku laheshin minatorët, pasi ktheheshin nga miniera. Ishte rregull në këto ndeshje, pasi mezi e priste të shtunën dhe të dielën, pasi aty ishte vërtetë spektakël nga loja e memaliotëve, por edhe nga tifozllëku që mbështesnin ekipin e tyre që simpatizonin për atë lojë! Si e tillë, të gjithë ata që vinin shpesh tek kjo fushë, e njihnin gjyshin. Më lart përmenda që gjyshi u arrestua në gusht të vitit 1979, kur ai ishte 65-vjeç, por u divorcua në vitin 1980, në kohën që ai ishte në burg, pasi e detyruan bashkëshorten e tij! Në informacionet personale të dosjes, është, Emër/Mbiemër: Josif Muzha. Vendlindja: Sheper, Gjirokastër. Datëlindja: 25/10/1914.

Gjyqi/Akuza: “Veprimtari armiqësore para çlirimit, agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.” Dënimi: 25 vjet burg. Vendimi: Nr. 18. Data e Vendimit: 11/4/1980.

Gjykata: Gjykata e Rrethit të Tepelenës. Data e Lirimit: 9/4/1986. Janë edhe detaje të tjera në dosje, që mund t’i dërgoj në një moment tjetër, por gjyqi është fituar në Strasburg dhe tani pak rëndësi kanë.

Kjo ka ndikuar keq për gjithë familjen tonë. Na vinin hallat, por fëmijët nuk ua njihnim. Mamaja ime, Dafina është nga Vlora dhe mbaj mend që kam shkruar për herë të parë, kur kam qenë 6-7 vjeçe, pasi nuk na donin, ngaqë ishin komunista. Madje shumë nga këta njerëzit e mamasë, vinin nga Vlora, për t’i mbushur mendjen mamasë që të ndahej nga bashkëshorti i saj dhe me kusht, që të na linte edhe ne, pasi nuk pranonin nipërit e armikut. Shikoni sa e egër bëhej lufta e klasava edhe pse i kishe njerëz të afërt dhe të të njëjtit gjak, por mamaja ime nuk pranoi. Ajo u thoshte që: “Po ka bërë gjë Josifi, le ta dënojnë, por Thimjo nuk ka bërë gjë dhe nuk kam pse të ndahem dhe t’i lë fëmijët rrugëve.”

Në vazhdim të shkrimit, po sjell edhe disa komente të postuara në njoftimin që postova tek Faqja Memaliaj, në Facebook, për publikimin së shpejti të shkrimit shkrimin në fjalë dhe për të gjetur ndonjë fotografi që mund të ndodhej nëpër albumet e bashkëqytetarëve. Fotografi nuk u mblodhën përveç dy kujtimeve që sot i mban në mur familja Muzha dhe i kuptoj shumë drejtë, pasi më lë të mendoj se në atë kohë, ai regjim të detyronte që t’i digjje të gjitha fotografitë e një të dënuari, në të kundërt shumë do të dënoheshin duke u sajuar diçka në lidhje me albumet. Vendosa të sillja komentet, pasi aty janë kujtime nga bashkëqytetarët, ku midis tyre ka edhe tronditëse dhe nuk mund t’i linim jashtë këtij shkrimi. Në vazhdim po i sjell me origjinalitetin e tyre.

Isak Vlashi: “Të përshëndes Mondi, por edhe gjithë shqiptaro-amerikanët për këto ditë të vështira që po kalojnë në këtë epidemi vdekjeprurëse që po shkakton virusi Korona . Besoj se do ta kaloni me sukses. Sa për shkrimin tuaj, të cilin e bëtë publik edhe titullin e tij, kushtuar veteranit të luftës, Josif Muzha, besoj se do ketë shumë interes tek shumë bashkëqytetarë dhe shumë zagoriotë qe i deshte dhe e deshën. Une kam një kujtim të bukur, edhe pse në moshë të vogël. Ne si fëmijë, shkonim dhe shikonim televisor tek halla ime, Katja, e cila është mamaja e Comes që punonte shitës tek dyqani i mishit. Si zagoritë që ishim, kishim vajtje-ardhje tek njëri-tjetri. Aty vinte shpesh burri i rrallë, Josif Muzha dhe ne shikonim me kureshtje filmat italianë, ku xhaxhi Josifi na i përkthente nga italishtja në shqip, me atë kulturën e tij të gjerë dhe mjaft i qetë. Veç Thimjos dhe Androkliut, kishte dhe dy vajza mësuese që ishin në qytetin e Durrësit, ku ai shkonte shpeshherë. Aty mund të ketë komunikuar italisht me turistë të rastit, të cilët vëzhgoheshin nga sigurimi i shtetit. Aty pësoi goditjen më të madhe, ku ndikuan edhe tek fëmijtë që ishin vërtetë novatorë si, Androkliu dhe Thimjua.”

Riza Xhaferi: “Xha Josifin, unë e kam njohur kur kam qenë 9-vjeç. Mbahet mend për njeri shumë i dashur, sigurisht dhe dy djemtë e tij, Androkliun dhe ustain tim, Thimjon, ku me të cilin kam punuar përgjatë pushimeve të verës, kur mbaronte shkolla. Mirënjohje për të dy! Tek dyqani i Polit, siç njihej në ato vite, pasi ajo ishte shitëse në atë dyqan shtetëror, shkoja dhe blija qumësht çdo mëngjes. Për aq sa dëgjoja edhe në bisedat që bënte me bashkëmoshatarët e tij, më jepte të kuptoja se ishte njeri shumë i qetë dhe i dashur. Unë aty u njoha me xha Josifin, pasi edhe ai blinte qumësht për nipin e mbesën e tij, Monikën dhe Taulantin, të cilët ishin fëmijët e Androkliut. Ndërsa unë blija qumësht për vëllain tim të vogël, Arturin, i cili në atë kohë ishte 2-vjeç. Sa herë që më shikonte të shkoja tek dyqani për të zënë radhën, më thoshte: “Erdhe Colush”, ku e merrja si përshëndetje, por edhe si përkëdhelje. Jo vetëm xha Josifi, por gjithë familja e tij, mbahen mend për njerëz të mrekullueshëm.”

Anastasia Vrenozi: Desha të shtoja edhe diçka në lidhje me djalin e tij, Androkliu, i cili ishte i dashuruar me Liri Karafilin, e cila më pas u bë edhe bashkëshortja e tij, nëna e dy fëmijëve. Me Lirinë jam bashkëmoshatare dhe kam qenë në një klasë. Në atë periudhë, shkonim shumë mirë me njera-tjetren. Kam përjetuar periudhën kur asaj i bënte presion familja për lidhjen e saj me Androkliun, pasi në atë kohë shikohej me syrin e të birit të një reaksionari që donte të përmbyste pushtetin popullor. Ajo nuk mori parasysh presionin nga familja, por edhe pasojat që do ta ndiqnin nga ai regjim, nëse do martohej me këtë djale. Ajo vendosi dhe u martua me Androkliun, i cili ishte djale i mrekullueshëm. Une i uroj nga zemra të dyve dhe të jenë mire, se qysh atëherë jeta mori rrugë të ndryshme dhe nuk di me tej!”

Tomorr Xhani: Familja Muzha, është një familje qytetare me norma dhe me femijë të edukuar. Fati i xha Josifit, mbeti misterioz, me hije, siç ishim mësuar të përtypnim çdo gjë që na servirej ,pa asnjë të drejtë, të interesoheshe për fatin e qytetarit “armik” të shpallur nga rregjimi asaj kohe!”

Shyqyri Malka: “Ashtu si Isak Vlashi, edhe unë kam një kujtim, por shumë të hidhur që më ka ngelur në mendje dhe më shoqëron edhe sot, sa herë që bie fjala për familjen Muzha. Kam punuar për shumë vite në policinë e Vlorës dhe disa herë më çonim me shërbim në spitalin e burgut të Tiranës, për të çuar një të burgosur. Pasi u futëm brenda, lash kolegun brenda, pasi kishim ardhur të dy me shërbim, dola jashtë për të pirë një cigare. Jashtë shikoj një barelë në shesh me një të burgosur dhe dy polica nga veriu. Në një moment, i burgosuri filloi të rënkonte dhe pashë policin që ta qëllonte me shkelma të burgosurin, ashtu siç ishte shtrirë mbi barrelë! Mua nuk më pëlqeu veprimi i dhunshëm i policit dhe duke u afruar u thash të dyve: “Kush ta jep të drejtën, që e godet ashtu …?!” “E mo, se armik i popullit është.”, dëgjova të më përgjigjej njëri prej tyre. “Po mirë, ai e ka marr dënimin. Ç’të duhet ty që e godet?!”, dhe vajta ta shikoja nga afër të burgosurin që po rënkonte i shtrirë në barela. Pash një njeri që ishte duke vdekur, por më shumë u shtanga, ngaqë e njoha dhe i thashë që jam nga Memaliaj. Në atë kohë, sa dëgjoi, Memaliaj, filloi të hapte sytë dhe me gjysëm zëri më pyeti se i kujt isha. Kur mësoi se isha djali i Bastri Malkajt, më tha: “Bastriu është shoku im. Bashkë luanim me letra…” Më zgjati dorën për të më takuar, ku edhe unë bëra të njëjtë gjë, dhe ma shtrëngoi fort, të cilën nuk ma lëshonte! E kuptova që më kërkonte ndihmë! I tronditur nga çfarë përjetova, në kthim zbrita në Fier dhe prej andej, me makina të rastit mbërrita në Memaliaj me të vetmin qëllim, për të takuar djalin e tij Thimjo. Pasi e takova, e vura në dijeni për çfarë kisha parë dhe i thashë se duhej të nisesha sa më shpejt me mundësinë e parë, për të bërë takim me babain e tij, për ta takuar për herë të fundit, pasi në atë gjendje që e pashë, ishin të pakta shpresat, se ai do të jetonte gjatë. Njëkohësisht, iu luta që të mos i tregonte askujt, që kisha thënë unë.”

Çdokush që e lexon dhe mëson nga ky shkrim, për dënimin dhe vuajtjet që ka përjetuar padrejtësisht veterani i luftës dhe i punës, Josif Muzha, padyshim që do do i japi të drejtë, pasi padrejtësisht, e kanë ndëshkuar deri aty sa i kanë marr edhe jetën.

Me përulje të thellë, por edhe në emër të të gjithë atyre memaliotëve që i kanë dhënë të drejtë shpirtërisht në atë kohë, e nderojmë dhe e respektojmë thellësisht nga zemrat tona emrin e tij dhe shpirtin e tij që tashme prehet në Parajsë, atje ku i keqi nuk shkon dot, por as edhe spiunët!

Besoj se shpejt a vonë, veterani Josif Muzha, meriton të vlerësohet dhe nderohet nga Këshilli i Bashkisë Memaliaj, me titullin e lartë të nderit “Qytetar nderi”. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë tregohet qartë, se në pushtetin vendor kemi ende njerëz që trashëgojnë në heshtje amanetin e baballarëve të tyre mbajtën gjallë atë regjim, por padrejtësisht u morën jetën mijëra shqiptarëve, ku njëri prej tyre është edhe veterani Joasif Muzha!

Edmond Ismailati

Nju Jork, 21 Maj, 2020