Kryesore Vetëvendosje tashmë edhe në Shqipëri, kërkon regjistrim në Gjykatën e Tiranës

Vetëvendosje tashmë edhe në Shqipëri, kërkon regjistrim në Gjykatën e Tiranës

Lëvizja Vetëvendosje zyrtarisht do të jetë edhe në Shqipëri.

Kërkesa për regjistrimin e saj në Gjykatën e Tiranës është dorëzuar më 11 mars 2019.

Lajmin e njofton Boiken Abazi përmes një deklarate të postuar në faqen e tij në Facabook.

Ai zbulon edhe personat e tjerë që janë pjesë e bordit drejtues të kësaj organizate.

“Anëtarët e Bordit të kësaj organizate, të gjithë nënshtetas të Republikës së Shqipërisë, janë: Enis Sulstarova (Kryetar i Bordit i votuar unanimisht), Liburn Aliu, Hysamedin Feraj, Elvis Hoxha, Dejona Mihali, Sami Kurteshi, Arbër Zaimi dhe Gearda Demiraj. Drejtor Ekzekutiv i votuar unanimisht nga Bordi është Boiken Abazi. Themeluesit, të gjithë nënshtetas të Republikës së Shqipërisë janë: Glauk Konjufca, Gearda Demiraj, Dejona Mihali, Enis Sulstarova, Hysamedin Feraj, Elvis Hoxha dhe Boiken Abazi. Presim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendimin në lidhje me regjistrimin e kësaj Qendre brenda afateve ligjore”, shkruan ndër të tjera Boiken Abazi.

Albin Kurti dhe Boiken Abazi

“Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri synon ta realizojë qëllimin përmes veprimtarisë në vijim:

Ngritjen e urave të komunikimit dhe projekteve të bashkëpunimit me shoqërinë civile, sferën akademike dhe intelektuale, sindikatat dhe studentët, në Shqipëri, Kosovë e në trevat shqiptare të rajonit të Ballkanit, si dhe me bashkatdhetarët që jetojnë në mërgim.

Bashkëpunimin me organizata shqiptare dhe të huaja që kanë vlera të përbashkëta me Qendrën.

Hartimin e analizave në lidhje me çështjet kombëtare, ekonomike, institucionale, gjeopolitike, arsimore, shëndetësore, sindikaliste, biznesore, mjedisore, të drejtave të grave dhe socio-kulturore që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien shoqërore dhe çështjen kombëtare shqiptare, si dhe organizimin e prezantimeve publike për to.

Përfshirja në veprimtari publike e qytetarëve të profesioneve dhe rajoneve të ndryshme në lidhje me problematikat shumëdimensionale të prodhimit e të krijimit.

Realizimin dhe pjesëmarrjen në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.

Organizimin e fushatave publike ndërgjegjësuese në lidhje me qëllimin e Qendrës.

Nxitjen e angazhimit aktiv dhe demokratik qytetar në lidhje me publiken.

Studimi dhe analiza e marrëdhënieve mes dy Republikave shqiptare në lidhje me:

Bashkëpunimin institucional në zbatimin e marrëveshjeve ndërqeveritare.

Marrëdhëniet tregtare, bashkë me avokimin për eliminimin e barrierave që pengojnë krijimin e një tregu të përbashkët dhe unionin doganor Shqipëri–Kosovë.

Avokimi për një sistem të përbashkët energjetik Shqipëri–Kosovë.

Paraqitjen e propozimeve për marrëveshje të reja Shqipëri–Kosovë.

Avokimi për një politikë të jashtme të përbashkët dhe për një politikë e strategji të përbashkët Shqipëri-Kosovë të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.

Avokimin për bashkimin e institucioneve qendrore kulturore dhe të trashëgimisë kulturore, arsimore, shkencore, si dhe të ligave të ndryshme të sportit në nivel profesionist në Shqipëri dhe Kosovë.

Avokimi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në trevat e tyre autoktone në Ballkan.

Monitorimin, analizimin dhe paraqitjen e alternativave në lidhje me marrëveshjet rajonale, e më gjerë, që ndikojnë drejtpërdrejt në çështjet publike e kombëtare.

Analiza e mediave dhe opinionit publik në Republikën e Shqipërisë, dhe trevat e tjera shqiptare të rajonit”, thekson ndër të tjera Abazi.