Aktualitet Vetting-u, Calavera: Shpejt kalojmë kandidatët për Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese

Vetting-u, Calavera: Shpejt kalojmë kandidatët për Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese

Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera, tha nga Podgorica për A2 CNN, se procesi i vetting-ut po ecën në drejtimin e duhur. “Unë mendoj se vetting-u po ecën në rrugën e duhur. Tashmë kemi kaluar në vetting 200 gjyqtarë dhe prokurorë. Ka qenë një proces transparent që është transmetuar nga televizionet dhe ka qenë i hapur, që të gjithë qytetarët e Shqipërisë të kuptonin si po ecte procesi. Ende kemi shumë punë për të bërë, pasi jemi ende në fazat fillestare të procesit. Por deri tani jemi në drejtimin e duhur dhe është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që të vazhdojë ta mbështesë këtë proces që është thelbësor për të gjithë reformën në drejtësi”.

Ajo pohoi se së shpejti pritet të mbyllet edhe procesi për kandidatët që duan të jenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, gjë që do të plotësonte vakancat në këto institucione, për t’iu kthyer normalitetit.

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë është rezultat i situatës jo të mirë që ishte në drejtësi. Shpresojmë që në muajt e ardhshëm të ketë përfunduar vetting-u për kandidatët që të plotësohen edhe këto institucione, në mënyrë që t’i kthehemi normalitetit”, shtoi Calavera.