Aktualitet Video e kryebashkiakut me kokainë/ PD: Është Lefter Alla i Bulqizës. Socialisti:...

Video e kryebashkiakut me kokainë/ PD: Është Lefter Alla i Bulqizës. Socialisti: Montazh

Partia Demokratike thotë se në pamjet e publikuar në media, ku shfaqet një person duke konsumuar në dukje kokainë në ambientet e një lokali është kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla.

“Opinioni publik është tronditur sot nga pamjet sesi kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës, i emëruar nga Edi Rama, është duke konsumuar kokainë. Kokaina, heroina, kanabisi, vjedhja, zhvatja janë cilësitë kryesore të kësaj bande që drejton sot vendin. Janë cilësitë e kryeministrit të Shqipërisë, që i ka klonuar tek emërimet e tij politike në pushtetin lokal dhe në administratën publike”, deklaroi ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji.

PD mendon se pikërisht për këto arsye, Edi Rama po e kap sistemin e drejtësisë.

“Janë lidhjet me krimin, është hajdutëria dhe babëzia motivi kryesor që e ka shtyrë Edi Ramën të kapë sistemin e ri të drejtësisë, siç vulosi së fundmi, emërimin antikushtetues të vartësit të vet Artur Metani në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, një prej organeve më të rëndësishme të drejtësisë”, vijoi Salianji.

Reagimi i demokratëve mbërrin pas publikimit nga televizioni “ABC News” i një fotoje ku thuhet se shfaqet kryebashkiak i një bashkie në veri të vendit duke konsumuar kokainë në një ambient publik, në dukje lokal.

Për ekzistencën e këtyre pamjeve, që besohet se kanë edhe video u fol në emisionin “Opinion” mbrëmjen e së martës. Vetë Alla reagoi menjëherë duke i cilësuar deklaratat si shantazh politik. Ai thotë se pamjet që po publikohen janë të montuara dhe se në to nuk është ai si person që konsumon kokainë.

Lefter Alla

Kjo nuk është hera e parë që kryebashkiaku i Bulqizës përfundon në qendër të vëmendjes së publikut. Në nëntor të 2019 djali i tij, Enio u arrestua pas një kontrolli rutinë të policisë, pasi iu gjetën disa doza hashashi, ndërsa në shtator të vitit 2018 pati një sherri në një lokal në Bulqizë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri Vangjel Alla, vëllai i Lefter Allës. Gjithë ngjarja ndodhi pas një konflikti me disa persona të tjerë dhe shkak u dyshua se kanë qenë përplasjet mes grupeve kriminale në Bulqizë.