Politika Video e prindërve të 13-vjeçares nga Kavaja, PD-LSI: Fshije, shkarko Spiropalin; Rama:...

Video e prindërve të 13-vjeçares nga Kavaja, PD-LSI: Fshije, shkarko Spiropalin; Rama: Pse lehni?

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali shkoi sot në familjen e të miturës me të cilën abuzuan seksualisht 8 të rinj në qytetin e Kavajës.

Spiropali takoi prindërit dhe gjyshin e vajzës se abuzuar seksualisht dhe videoja u postua në Facebook-un e kryeministrit Edi Rama, edhe pse babai i të miturës kërkon nga mediat që t’i japin fund publikimit të ngjarjes sepse po e plagosin për së dyti.

“Nëse jam plagosur njëherë mos më plagosni për së dyti. Ju lutem me shpirt të gjithë mediave mbylleni njëherë e përgjithmonë këtë problem. Më lejoni ta kaloj me njerëzit e mi”, ishte apeli i babait të minorenes për mediat.

Ndërkohë, menjëherë pasi doli video dy partitë opozitare PD dhe LSI reaguan kundër Edi Ramës dhe Elisa Spiropalit, duke argumentuar se po në shkelje flagrante të ligjit për “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, po luhet politikisht me fatkeqësinë.

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha tha se ky veprim i paprecedentë i kryeministrit me një fëmijë të dhunuar është i dënueshëm.

“Publikimi i imazhit të familjarëve të vajzës së mitur në Kavajë, me zë dhe figurë është shkelja më flagrante e ligjit “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”. Neni 17, Liria e jetës private, pika 3, e shpreh qartë se ‘privatësia e fëmijës respektohet në të gjitha fazat e procedurave gjyqësore apo administrative, duke përfshirë̈ edhe publikimin e tyre në media’. Unë mund të kuptoj çdo gjë në këtë shtet, por që kryeministri të shkelë të drejtën e një fëmije të dhunuar për privatësi, është e papranueshme dhe e dënueshme! Do ta ftoja të gjithë shoqërinë, institucionet dhe mediat të reagojnë për këtë veprim të paprecedentë!”, shkroi ajo në Facebook.

I ashpër ishte edhe reagimi i deputetes së PD, Albana Vokshi, e cila kërkon që kryeministri Rama të shkarkojë ministres Spiropali dhe të fshijë me shpejtësi videon nga Facebook-u.

“Si nënë, si grua, por edhe si kryetare e komisionit të arsimit, kërkoj shkarkimin e menjëhershëm të Elisa Spiropalit. Edi Ramës i kërkoj ta heqë menjëherë videon nga faqja e tij në Facebook. Nëse ai nuk e bën këtë brenda 1 ore, AKEP duhet të bllokojë facebookun e Edi Ramës”, thotë Vokshi.

Ajo shton se qeveria paturpësisht ka zbuluar identitetin e vajzës së përdhunuar, “gjë që s’e ka bërë asnjë media, dhe kjo vetëm për të bërë propagandë me viktimën e një sistemi që përdhunuesit i ka promovuar dhe u ka dhënë pushtet”.

“Pasi qeveria e tyre i ka braktisur, pasi policia e tyre dështoi, pasi e fshehën ngjarjen nga tetori në janar, pasi thanë që ndodh edhe nëpër filma, në përpjekje për të mbuluar skandalin me shtirje, treguan sesa vlejnë fëmijët e shqiptarëve dhe sërish nuk ndalen duke dëmtuar interesat e fëmijës së dhunuar dhe familjes. Elisa Spiropali sot ka shkelur jo vetëm kodin moral të shqiptarit, por edhe kodin penal, që nuk lejon zbulimin dhe publikimin e identitetit të fëmijës së mitur në asnjë rrethanë. Premtimet për bursa, duke menduar që çdo gjë mund ta blejnë, është një sjellje me mendësi kriminale, si kriminelët që kërkojnë të blejnë heshtjen e viktimave të tyre”, thekson Vokshi.

Por kryeministri Edi Rama u është përgjigjur menjëherë akuzave me një postim në rrjetet sociale, ku i akuzon se po lehin si hiena dhe merren me përdhunimet e krimet fatkeqe se s’kanë gjë tjetër veç helmit për shqiptarë.

“Po tani çfarë keni që lehni apo ua kemi fajin ne pse njerëzit besojnë tek ne e jo tek ju, hiena të politikës e të medias? Po mos të ishin vrasësit, përdhunuesit, grabitësit, krimet e fatkeqësitë, ju s’do ekzistonit, se s’keni hiç tjetër për t’u dhënë njerëzve veç helmit e vrerit”, shkruan Rama në Twitter.