Aktualitet VIDEO: Pronari i lokalit mbi furgonin në ecje të turistëve spanjollë, 3...

VIDEO: Pronari i lokalit mbi furgonin në ecje të turistëve spanjollë, 3 km rrugë mes tmerrit

Report Tv siguron një video ekskluzive të momentit kur Mihal Kokëdhima, pronari i një restoranti në Porto Palermo, në një mënyrë krejtësisht të çmendur, i është hedhur me trup furgonit ku udhëtonin turistë spanjollë dhe teksa automjeti është në ecje ai godet me grushte xhamin e përparmë duke e thyer atë, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë.

Turistët brenda furgonit janë të tmerruar.

Automjeti drejtohet nga një shofer shqiptar. Edhe pasagjeri i parë dhe një tjetër udhëtarë janë shqiptarë, ndërsa në furgon dëgjohen të flasin të frikësuar edhe turistët spanjollë.

Ata kanë njoftuar policinë, ndërsa nga sa dëgjohet në videon ekskluzive të Report Tv, ata janë nisur nga Porto Palermo, ndodhen pranë Qeparosë, dhe do të shkonin deri në Sarandë në stacionin e policisë për ta dorëzuar aty pronarin që i rrezikoi jetën.

Gjithçka mund të ishte kthyer në një tragjedi. Rruga nga Porto Palermo në Himarë për në drejtim të Sarandës, është mjaft e vështirë, e ngushtë dhe me kthesa të forta.

Teksa situata është bërë gjithnjë edhe më e vështirë, në një rrugë prej 3 kilometrash me pronarin e çmendur mbi furgon, turistët spanjollë dhe shqiptarët i kërkojnë të zbresë. Edhe vet Mihal Kokëdhima, 51-vjeçar, kërkon që makina të ndalojë pasi nuk ka më forcë të qëndrojë mbi xham teksa furgoni është në ecje. Por edhe pasi ndalon dhe zbret nga xhami i përparmë i automjetit, Mihal Kokëdhima kërkon të hapë derën e furgonit dhe t’i sulmojë sërish turistët.

Mihal Kokëdhima: Mbaje, mbaje, mbaje se do hidhem unë po mbaje – o ç’vdiqa, mbaje këtu të thash se do vdes këtu…

Shqiptarët në furgon: Zbrit nga makina tani, zbrit poshtë…

Po na ndjekin nga mbrapa të tjerët…

Nuk do ndaloj fare, do shkoj në polici direkt…

Merrni policinë! Hajdeni se na vrau, do vijë këtu policia, në Sarandë do vemi…

Shkoni në polici kështu…

Telefonata me policinë: Ngrini postbllok në Qeparo…erdhën me thika, kanë thyer makinën…

Në atë moment në rrugë shihet teksa kalon edhe një furgon policie i FNSH-së i cili ka ndërhyrë menjëherë duke arrestuar Kokëdhimën.

Ndërkohë, nga sa dëgjohet nga çfarë thonë shqiptarët, turistët spanjollë nuk donin të hanin ushqimin e porositur në restorantin e Mihal Kokëdhimës në Porto Palermo për shkak të shërbimit të keq, por pronari i është sulur duke i ofenduar dhe i ka ndjekur edhe pasi ata janë larguar me furgon, duke ju hedhur mbi xham.

Shqiptarët dëgjohen të thonë se pas tyre është edhe një tjetër automjet që po i ndjek, ndërsa thonë se kishin edhe armë të ftohta. Mihal Kokëdhima tashmë është i arrestuar nga policia.

Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, ndërsa turistët patën edhe një takim me ministrin e Turizmit, Blendi Klosi i cili i vizitoi në vendin ku ata po pushojnë. Edhe kryeministri Edi Rama reagoi për këtë ngjarje të rëndë, duke shprehur ndjesë ndaj turistëve dhe duke dënuar veprimin e rëndë të pronarit të lokalit.

Mihal Kokëdhima akuzohet tani për ‘kanosje’, “dëmtime të tjera me dashje’ dhe ‘shkatërrim prone’. Më herët, përpara se të hidhej mbi kofanon e furgonit, ai është konfliktuar fizikisht me turistët spanjollë duke u shkaktuar dëme në trup, por më shumë është dëmtuar turistja spanjolle me inicialet K.R./Report Tv