Bota Videoja bën xhiron e botës: Edhe majmuni ngrihet kundër buldozerit

Videoja bën xhiron e botës: Edhe majmuni ngrihet kundër buldozerit

Britaniku Sir David Attenborough ka realizuar disa nga dokumentarët më të shikuar dhe më të vlerësuar në historinë e medias.

“Planet Earth” apo “Our Planet” janë fenomene mediatikë. Së fundmi, Attenborough po transmeton në BBC një dokumentar për ndryshimet klimatike.

Sir David shprehet i alarmuar për situatën ku gjendet planeti ynë, duke parashikuar se e ardhmja do jetë katastrofike nëse nuk ndërhyhet brenda një dekade.

Por një moment nga dokumentari i tij ka bërë xhiron e botës.

Pamjet prekëse tregojnë një orangutang teksa lufton më kot me buldozerët.

Majmuni po përpiqet që të mbrojë habitatin e tij që po shkatërrohet për shkak të kërkesës gjithmonë në rritje për vaj palme.

Vaji i palmës përdoret masivisht jo vetëm në industrinë ushqimore, por ekspertët thonë se kërkesa për të ka sjellë shkatërrim masiv të pyjeve, që po zëvendësohen me plantacione.

92-vjeçari Attenborough paralajmëron: “Tani jemi duke u përballur me rrezikun më të madh të njerëzimit në mijëra vite. Ndryshimet klimatike. Me këtë ritëm të ngrohjes së planetit, ne rrezikojmë një të ardhme shkatërrimtare”.